Kolegji rrëzon dekretin e Presidentit Meta! Më 30 qershor do të ketë zgjedhje

Shqipëria

Kolegji rrëzon dekretin e Presidentit Meta! Më 30 qershor do të ketë zgjedhje

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 13:03
Kolegji Zgjedhor

Dekreti i presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit merr gjykimin e parë institucional. Kolegji Zgjedhor,( gjykata e zgjedhjeve) vendosi këtë të hënë të rrëzojë kërkesën e Idajet Beqirit, kryetarit të Partisë Uniteti Kombëtar për tu çregjistruar nga zgjedhjet. Me vendimin e marrë, pasi u dëgjuan palët, avokat Beqiri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që më herët e kishte rrëzuar të njëjtën kërkesë, i jepet fund edhe përplasjes mes Kuvendit dhe Presidentit për ligjshmërinë ose jo të dekretit të Ilir Metës, për anulimin e zgjedhjeve.  Fakti që Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Beqirit për të çregjistruar Partinë e Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet, do të thotë se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është i paligjshëm dhe për pasojë më 30 qershor do të ketë zgjedhje.

Njëjtë e përktheu këtë vendim edhe Idajet Beqiri menjëherë sapo u shpall vendimi i Kolegjit Zgjehdor nga trupa gjykuese me 5 anëtarët Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj.

"Është një vendim i formës së prerë ne të drejtë ankimimi nuk kemi më. Jemi të detyruar ta zbatojmë këtë ligj. DO të thotë që më 30 qershor ka zgjedhje. Duke respektuar këtë vendim të Kolegjit, do t'i nënshtrohemi të gjithë rregullave për të vijuar garimin për kaq ditë sa na kanë mbetur. Thelbi i vendimit përsakohë rrëzohet kërkesa jonë do të thotë që më 30 qershor shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje. Problemi është që drejt Unitetit shkohet me gjëra që janë ligjore, kushtetuese, që i kanë miratuar gjithë shqiptarët Në referendum kanë votuar një kushtetutë që duhet zbatuar. Po operove me mjete jo ligjore gjithmonë je i dështuar. Unë thash që përfaqësoj një subjekt politik, vlerësimet e ia për dekretin edhe këtu i bëra të qarta, është një dekret i pavlefshëm nga çdo lloj pikëpamje. Është luftënxitës për mua", u shpreh Beqiri për gazetarin Arsen Rusta, menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe opozita pretendojnë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është kushtetues dhe duhet të zbatohet nga të gjithë, ndërsa shumica e konsideron antikushtetues dhe për rrjedhojë ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka njohur dekretin e kreut të shtetit, duke vijuar përgatitjet për zhvillimin e procesit zgjedhor në 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita dhe Presidenca kanë kërcënuar anëtarët e KQZ me burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat