Konferenca për shtyp e Presidentit Meta - Bota Sot
Konferenca për shtyp e Presidentit Meta

Shqipëria

Konferenca për shtyp e Presidentit Meta

Nga: B.S Më: 25 qershor 2019 Në ora: 12:26
Ilir Meta

Gazetari: Zoti President, ju folët për zgjedhje imagjinare në 30 qershor, folët edhe për një lutje ndaj mazhorancës të reflektojë. Por, mazhoranca duket se nuk e ka në plan të reflektojë dhe zgjedhjet duket se nuk do të jenë imagjinare në datën 30. A ka Presidenti i Republikës, një plan B? Ju folët për dialog, a do të ndërmerrni hapa të tjera në emër të këtij dialogu?

Presidenti Meta: Mbetem durimplotë, pavarësisht se për fat të keq janë shpërdoruar gati më shumë se dy javë, që nga momenti kur e krijova këtë hapësirë për dialog dhe për reflektim nga të dyja palët.

Do të vazhdoj të jem i qetë dhe i duruar, por duhet të keni të qartë që Presidenti i Republikës, nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake.

30 qershori si datë për zgjedhje në Republikën e Shqipërisë, ka rënë, nuk ekziston më ligjërisht.

Kush dëshiron të zhvillojë zgjedhje të karakterit partiak është i lirë.

Presidenti nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive, kjo duhet të jetë e qartë për ju, dhe për të gjithë brenda dhe jashtë vendit.

Në Republikën e Shqipërisë, ka vetëm një institucion që vendos datën e zgjedhjeve, ky është Presidenti i Republikës.

Ndaj, edhe njëherë tjetër apeloj për reflektim.

Kush vazhdon me kokëfortësi në rrugën e paligjshmërisë, do të marrë të gjitha përgjegjësitë dhe askush nuk do ta justifikojë dot.

Gazetari: Asnjë nga ambasadorët apo përfaqësuesit ndërkombëtar nuk janë shprehur kundër 30 qershorit. Përkundrazi, ata bëjnë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen dhe të respektohet e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit lokal....

Presidenti Meta: Nuk hyj tek ata politikanë që flasin në emër të ambasadave, në emër të ndërkombëtarëve dhe që fshihem pas tyre. Në Republikën e Shqipërisë i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës.

Unë nuk kam anuluar zgjedhjet as në Itali, as në Amerikë dhe as në Kinë. Kam anuluar zgjedhjet në Shqipëri për shkak të një krize shumë të rëndë politike, që besoj se e keni vënë re prej muajsh, me qëllim normalizimin e situatës në vend dhe njëkohësisht për të gjetur rrugën dhe datën për zgjedhje gjithëpërfshirëse.

Mos prisni nga asnjë ambasador t’ju thotë këtë që po ju them unë. Sepse edhe po të bëheshin zgjedhjet më 30 qershor, që nuk ekzistojnë më ligjërisht, pa opozitën, edhe sikur i gjithë populli opozitar që nuk do të merrte pjesë, do të dilte të duartrokiste ata që do të shkonin të votonin (pa pjesëmarrjen e opozitës), e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe çelja e negociatave do të kishte një fat të paditur për një kohë shumë të gjatë.

Sepse e kam sqaruar vazhdimisht se zgjedhje të tilla nuk plotësojnë asnjë standard minimal të kritereve të Kopenhagenit. Dhe jo vetëm kaq, por Shqipëria do të dënohej nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, siç ka ndodhur me shumë vende të tjera.

Besoj se jam shumë i qartë. Nuk kam anuluar zgjedhjet në asnjë vend, në asnjë ambasadë, në asnjë fondacion ndërkombëtar. Kam anuluar zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë para të gjithë shqiptarëve.

Të gjithë e kanë pasur të qartë se kam bërë përpjekje të vazhdueshme për dialog midis të dyja palëve. Kam paralajmëruar qysh më 24 maj 2019 se jam i gatshëm për t’i shërbyer dialogut dhe për të rishikuar datën e zgjedhjeve. I keni parë reagimet si kanë qenë, u kam krijuar këtë mundësi, por zgjedhje ligjërisht më 30 qershor nuk ka dhe nuk do të ketë.

Gazetari: Duke u kthyer te nisma e Parlamentit për shkarkimin tuaj. A nuk mendoni se mbase është më korrekte dhe më e ndershme, jo për të qenë pjesë e historisë, sepse ju do të mbeteni pjesë e historisë - për mirë apo për keq kjo mbetet për t’u parë – të jepni dorëheqjen, të largoheni me nder nga kjo detyrë se sa të jeni pjesë e gjithë kësaj farse që po bëhet në Shqipëri? Gjithçka që po ndodh duket si farsë....

Presidenti Meta: Ky institucion nuk i përket Ilir Metës. Ky institucion i përket Republikës. Ky institucion nuk do të bjerë kurrë, përkundrazi. Nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës, Shqipëria nuk do të kthehet në një tirani personale të askujt dhe në asnjë koloni të asnjë fondacioni ndërkombëtar. Ky është një vend që u takon të gjithë shqiptarëve dhe bashkë do të jemi këtu deri më 24 korrik të vitit 2022.

Gazetari: Zoti President, ju keni shkëmbyer disa letra, shkresa me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Keni kërkuar informacion për numrin ekzakt të deputetëve ne Kuvend, së fundmi i keni kërkuar KQZ-së, praktikën shkresore për sa i përket caktimit të deputetëve të rinj. A po merr në konsideratë Presidenti i Republikës, ndoshta shpërbërjen e parlamentit, pasi parlamenti nuk ka 140 deputetë?

Presidenti Meta: Presidenti i Republikës do të bëjë çdo veprim me shumë qetësi, me shumë përgjegjshmëri, dhe do t’i shërbejë gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave të saj, shpresojmë ta bëjnë këtë të gjithë institucionet dhe të gjithë qytetarët së bashku.

Gazetari: KQZ në një nga argumentet që ka dhënë gjatë shqyrtimit të kërkesës të Partisë Uniteti Kombëtar, thoshte shprehimisht se Presidenti, nuk e ka ligjshmërinë për të anuluar një datë zgjedhjesh, po vetëm për ta dekretuar një datë zgjedhjesh. Nisur nga kjo situatë nga fakti që ju i kërkoni mazhorancës të tërhiqet, a ka menduar Presidenti i Republikës, të kërkojë një tryezë të partive politike, meqenëse ka qenë shpeshherë traditë në Presidencë mbledhja e forcave politike kur vend i ka pasur situata të vështira?

Presidenti Meta: Padyshim që kjo iniciativë fillon kur mazhoranca të tërhiqet nga kjo veprimtari e paligjshme. Atëherë hapet rruga për dialog. Jo rastësisht përdora termin organizatë socialiste, për të qenë korrekt. Presidenti, nuk mund të hyjë në debate me një organizatë socialiste, demokrate, republikane. Derisa vepron si organizatë socialiste, le të vazhdojë.

Në Republikën e Shqipërisë dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka vetëm një institucion që vendos për datën e zgjedhjeve, ky është Presidenti i Republikës.

As Kuvendi dhe asnjë institucion tjetër.

Presidenti është i duruar, që të gjithë të kuptojnë dhe të reflektojnë se pluralizmi politik në Shqipëri ka tre dekada që ka ardhur dhe njëkohësisht të kuptojnë dhe një gjë që nuk ua thonë dot ambasadorët.

Se ndoshta nuk i lënë që ta thonë këtë gjë, por ua them unë, ua kam thënë dhe ambasadorëve, jua kam thënë dhe palëve: pa zgjedhje dhe jo vetëm gjithëpërfshirëse, por me standardet më të mira, të paktën se zgjedhjet e mëparshme, nuk ka çelje negociatash. Kjo është e sigurt dhe për këtë më besoni mua unë, jam esëll gjatë gjithë ditës, jo më tani në mëngjes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...