Mbajtja e Premtimit, Cakaj rekruton pesë ekselentët e parë në diplomaci

Shqipëria

Mbajtja e Premtimit, Cakaj rekruton pesë ekselentët e parë në diplomaci

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 15:19
Gent Cakaj

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka pritur në zyrën e tij pesë studentë ekselentë të cilët janë bërë pjesë e shërbimit diplomatik të Republikës së Shqipërisë.

“Sot pesë studentë ekselentë i janë bashkangjitur diplomacisë shqiptare! Ky veprim është në përputhje me frymën e Paktit për Universitetin dhe pjesë e përpjekjes për përmirësimin e kapaciteteve përfaqësuese të diplomacisë shqiptare në përgjithësi! Diplomacia shqiptare, pra, përfundimisht është hapur për studentët shqiptarë me rezultate ekselente akademike!” shkruan në rrjetin social Facebook ministri në Detyrë Cakaj.

Cakaj thotë se qëllimi themelor i reformave në zhvillim e sipër në ministrinë që ai drejton është fuqizimi i diplomatëve të karrierës.

“Në këtë kuptim, ndryshimi i ligjit për shërbimin e jashtëm është i domosdoshëm për të përcaktuar kufirin e qartë të numrit të mundshëm të diplomatëve jashtë sistemit dhe po ashtu dhënien përparësi të padiskutueshme për diplomatët e karrierës në raport me emërimet nga jashtë,” shprehet ai.

Ministri në Detyrë Cakaj njofton gjithashtu se është zhbllokuar mekanizmi i dhënies të gradave diplomatike.

“Vlen të theksohet se ka qenë tepër me rëndësi dhënia e përparësisë për gradat fillestare për diplomatët e rinj. Shumica e atasheve/ sekretarëve të tretë tashmë kanë marrë besimin për të shërbyer nëpër misionet diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë nëpër botë. Kjo është një masë e domosdoshme për të ri-energjizuar misionet diplomatike por edhe për të rritur aftësitë profesionale të diplomatëve të rinj,” sqaron Ministri.

Së fundmi, në vazhdën e përpjekjeve për zhvillimin cilësor të Shërbimit të Jashtëm, Cakaj vlerëson punën e Akademisë Diplomatike brenda MEPJ.

“Akademia Diplomatike gjatë gjithë kësaj periudhe ka intensifikuar angazhimet e saj në funksion të rritjes së profesionalizmit të shërbimit diplomatik. Vetëm gjashtë mujorin e parë të vitit 2019, në bashkëpunim me mbi 24 organizata ndërkombëtare, akademi të huaja dhe institucione diplomatike, janë kryer dhe vijojnë të kryhen mbi 30 kurse trajnimi në vende si Bullgari, Çeki, Estoni, Hollandë, Gjermani, Indi, Kroaci, Malajzi, Mal i Zi, Turqi, Zvicër, e më tej,” thotë Cakaj në njoftimin e tij.

Cakaj thotë se së shpejti do të ketë masa të reja në funksion të transformimit cilësor të diplomacisë së Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat