Dhunuan gazetarin, reagon policia: Incident i pakëndshëm

Shqipëria

Dhunuan gazetarin, reagon policia: Incident i pakëndshëm

Më: 29 qershor 2019 Në ora: 23:38
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia e Shtetit ka reaguar pas dhunës së ushtruar nga një polic, mbi gazetarin e “News 24”, Enver Doçi, mbrëmjen e sotme në Dibër.

Ndërsa shpreh keqardhjen për atë që e konsideron “incident të pakëndshëm”, policia thotë se e gjitha ndodhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin.

Reagimi i policisë:

Policia e Shtetit ka ndaluar sot në mbrëmje në Peshkopi një person me precedente të shumëfishtë penale, ndaj edhe aksioni i ndalimit ka qenë kompleks.

Nisur nga të dhënat e marra në rrugë operacionale, operacioni ishte me risk të shtuar.

Në kushtet e këtij aksioni të zhvilluar në një situatë të tensionuar, një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin.

Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit të TV “Neës 24”.

Ky akt i pakëndshëm erdhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin.

Pavarësisht situatës së krijuar, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët dhe gazetarët se është në shërbim të tyre dhe ndodhi të tilla nuk do lejohen të përsëriten, pavarësisht arsyeve dhe situatave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat