Mospërputhje në kutitë e votimit, më shumë vota se votues

Shqipëria

Mospërputhje në kutitë e votimit, më shumë vota se votues

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 07:45
Ilustrim

Skandali/ Në Lushnje, Divjakë, Bulqizë, Durrës apo Vorë, fituesit dalin me mbi 100 %. Dyshime për mbushjen e kutive orën e fundit të procesit. Edhe votat e pavlefshme, tregues i refuzimit të kryebashkiakëve

Në një pjesë të konsiderueshme të Bashkive në vend, me përfundimin e procesit të numërimit të votave, dolën në sipërfaqe problemet e para, të cilat hedhin hije dyshime për mënyrën e shpalljes së fituesve. Në disa prej bashkive, ku madje kandidatët nuk kanë pasur rivalë, rezulton të kenë marrë shumë vota “fantazmë”, ku numri i personave që morën pjesë në zgjedhje është shumë herë më i vogël se sa votat e publikuara në faqen zyrtare të KQZ. Në informacionin e përditësuar në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishte disa mospërputhje mes shifrave të votuesve dhe votave, që kanë marrë fituesit në disa bashki të vendit. Kështu, rezulton se në bashki të tilla si Ura vajgurore, Lushnje, Divjakë, Bulqizë apo Vorë, rezulton se fituesi ka marrë më shumë vota sesa kishte qytetarë që votuan. Shpallja me 3 orë vonesë e totalit të votuesve nga KQZ mbrëmjen e 30 qershorit me shifrën 21.6 për qind dhe publikimi paralel i Partisë Demokratike se në votime shkuan 15 për qind e elektoratit, tashmë ngre hije të forta dyshimi se kutitë janë mbushur masivisht orën e fundit të orarit zyrtar zgjedhor. Ndërkohë nga numërimi i votave del në pah edhe një anë tjetër, ajo e votimit për ta bërë fletën e pavlefshme.

10 740 vota të pavlefshme në Tiranë

Në 11 njësitë administrative të Tiranës, ku nuk përfshihen njësitë që mbulojnë zonat që i janë bashkuar bashkisë pas reformës administrative të vitit 2015, rezultojnë të pavlefshme 10740 vota. Përveç gabimeve të rastësishme, në 30 qershor u vu re një tendencë për të ‘djegur’ qëllimisht votën. Numri më i madh i votave të pavlefshme ka rezultuar në njësitë 2, 5 dhe 7.

Gjirokastër, 660 votues bëjnë kryqin në fletë

Në Gjirokastër, Flamur Golemi, kandidati i vetëm ka marrë 10334 vota nga 11002 votues gjithsej, ndërsa 660 vota janë shpallur të pavlefshme, gjë që nënkupton se 660 qytetarë kanë refuzuar t’ia japin votën kandidatit të PS-së. Gjithsej në këtë bashki janë numëruar 67 kuti votimi.

Kandidatja e Bashkisë së Urës Vajgurore fiton me 1766 vota “fantazmë”

Procesi i votimit në Urën Vajgurore është mbuluar me hije dyshimi. Mbrëmjen e 30 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi zyrtarisht listën e personave që morën pjesë në votime. Në Urën Vajgurore thuhet zyrtarisht se kanë votuar gjithsej 5900 persona, e përkthyer në shifra 19,18%. Por në tabelat e rezultateve paraprake, pasi u mbyll procesi i numërimit të votave, kandidatja e PS, Juliana Memaj doli fituese me 7666 vota, ndërkohë që numri i  personave që morën pjesë në votime ishte shumë herë më i vogël. Juliana Memaj në fakt ka qenë e vetme ne këtë garë, pa një rival nga partitë e tjera. Pritet që KQZ të sqarojë se cila pre dy shifrave të raportuara është gabim, për të justifikuar edhe diferencën prej 1766 votash.

Marinaj, fitues në Malësinë e Madhe? Ka më shumë vota se sa votues

Parregullsi kanë ndodhur edhe me rastin e kandidatit të Bashkisë së Malësisë së Madhe nga ana e KQZ-së, e cila ka nxjerrë fitues paraprak Tonin Marinajn, i cili garonte me Pjerin Spatharin. Sipas KQZ në këtë Bashki kanë marrë pjesë 7600 votues, por që kandidati i PS ka fituar me 7772 vota, ndërsa Spathari ka marrë  493 vota.

Divjakë, procesi i numërimit të votave mbulohet me hije dyshimi

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në bashkinë e Divjakës. Teksa KQZ ka publikuar shifrat e pjesëmarrëseve në zgjedhje për çdo bashki, kanë nisur edhe problemet. Konkretisht në bashkinë e Divjakës numri i personave që morën pjesë në zgjedhje ishte 13 000, por Fredi Kokoneshi, i cili garoi nën siglën e Aleancës për Shqipërinë Europiane, ka fituar me 513 vota më shumë nga numri i pjesëmarrësve në këto votime. Në total ai ka fituar me 13,500 vota. Theksohet fakti se Kokoneshi nuk ka pasur kandidat rival.

As Vora nuk kënaqet me rezultatin, shton votat “fantazmë”

Në Vorë morën pjesë në zgjedhje 6120 persona, ndërkohë që fituesi Agim Kajmaku ka dalë fitues me një total prej 6,208. Kajmaku garonte i vetëm në këto zgjedhje.

Memaliaj marrin pjesë në votime gjithsej 4150 votues- Fituesi merr 4206 vota

Gjolek Guci edhe pse ka qenë pa rival për të fituar Bashkinë e Memaliaj, në tabelat e KQZ-së rezulton që të ketë një shtim të votave. Sipas shifrave zyrtare, në zgjedhje morën pjesë 4150 zgjedhës, kandidati pa rival ka dalë fitues me 4,206.

Lushnjë, kandidati del fitues me 843 vota “fantazmë”

Sipas KQZ në Lushnjë morën pjesë në votime gjithsej 27243, persona, ndërkohë që Fatos Tushe, pa kandidat rival ka dalë fitues me 28086 vota.

Jorgo Goro i Himarës fitoi me 47 vota “fantazmë”

Jorgo Goro nuk ka pasur rival dhe doli fitues me 4209 vota, ndërkohë që në zgjedhje morën pjesë 4162. Goro ka fituar me 47 vota “fantazmë”.

Bulqizë, dalin 572 vota më tepër

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Bashkinë e Bulqizës. Lefter Alla ka marrë 7529 vota, ndërkohë që në zgjedhje morën pjesë 7500 votues. Duhet fakti që 543 vota mori kandidati tjetër rival, Ilir Balla.

Hero i votave socialiste, asnjë surprizë për tejkalimin e planit

Një ditë pas 30 qershorit, Presidenti i Republikës Ilir Meta uroi qytetarët, të cilët nuk u konfrontuan dhe i qëndruan larg dhunës. Në një status në “Facebook”, kreu i shtetit i quan votimet e 30 qershorit, socialiste të thirrura nga kryeministri Rama. “Urime të gjithë qytetarëve që dje iu larguan konfrontimit dhe dhunës duke respektuar në mënyrë qytetare njëri-tjetrin, pavarësisht nga qëndrimi ndaj votimeve socialiste të thirrura nga kryeministri Rama. Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile, ndaj i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre”, shkuan Presidenti Meta. Meta u shpreh se nuk kishte asnjë surprizë për tejkalim të planit, ndërsa tha se duhet të “shpikë” një dekoratë të re, atë të “Heroit të votave socialiste” “Përsa i takon tejkalimeve të planit në votimet socialiste, asnjë surprizë nuk kisha. Tani me duhet të “shpik” një dekoratë të re, që besoj me ndihmën e Kuvendit socialist do miratohet, atë të “Heroit të votave socialiste”. Për të shijuar rikthimin e kohës së votimeve kolektive, ju ftoj të ndiqni edhe këtë video”, mbyll postimin Meta.

PD: Manipulim masiv i votave, janë mbushur kutitë

Partia Demokratike ka denoncuar manipulimin e votave në zgjedhjet e 30 qershorit. Në një dalje për mediat nga selia blu, Ivi Kaso tha se qeveria ka mbushur masivisht kutitë e votimit. Sipas tij, shqiptarët e refuzuan kryeministrin Rama me mospjesëmarrje në votime. “Edi Rama po kryen një manipulim masiv të rezultatit të votimit të tij monist, ku vetë votoi, vetë numëroi, vetë vulosi. Siç denoncoi dje Partia Demokratike, për shkak të refuzimit plebishitar nga shqiptarët, kandidatët e tij kanë mbushur kutitë e votimit kudo në Shqipëri.  Në votimet moniste të Edi Ramës dalin më  shumë vota në kuti sesa ishte pjesëmarrja zyrtare e deklaruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe ky nën kontrollin e Edi Ramës dhe që manipuloi gjatë gjithë ditës pjesëmarrjen e votuesve.   Të dhënat zyrtare tregojnë se kutitë janë mbushur dhe numri i votave është shtuar në mënyrë flagrante në të paktën 6 bashki, ku ka mbaruar numërimi. Rekordin e mban Ura Vajgurore, ku janë shtuar 1766 vota. Më pas vjen Vau i Dejës me 1057 vota më shumë në kuti, sesa pjesëmarrja e deklaruar. Bashkia Lushnjë me 843 vota. Malësia e Madhe me 665. Bashkia e Bulqizës me 572 vota më shumë. Bashkia e Divjakës me 513 vota më shumë në kuti sesa votues morën pjesë sipas informacionit zyrtar. Qëllimi i Edi Ramës për të fryrë pjesëmarrjen dhe për të manipuluar rezultatin e votimeve të tij personale, jashtë çdo standardi demokratik është arritja me çdo kusht e votave të vitit 2017”, tha Kaso.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat