Çfarë janë ‘deep state’ dhe ‘state capture’, për të cilat foli Meta

Shqipëria

Çfarë janë ‘deep state’ dhe ‘state capture’, për të cilat foli Meta

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 14:10
Ilustrim

‘Deep state’ dhe ‘state capture’ ishin dy termat të cilat theksoi sot në konferencë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kur foli për grupin e strukturuar ‘PPP-d’ që, sipas tij, funksionon në Shqipëri kundër interesave të qytetarëve.

Por çfarë janë  ‘deep state’ dhe ‘state capture’?

Deep state njihet si ‘shtet brenda shtetit’ dhe konsiderohet një formë klandestine e qeverisjes, që përbëhet nga rrjete të mbuluara apo të fshehura, ku këto të fundit veprojnë të pavarura nga lidershipi politik i shtetit, duke ndjekur qëllimet dhe agjendat e tyre.

Deep State mund të gjendet në agjencitë e inteligjencës, polici, agjencitë administrative dhe në burokracinë qeveritare.

Deep State mund të veprojë në kundërshtim me agjendën e zyrtarëve politikë të zgjedhur nga populli, duke i penguar, i rezistuar dhe duke i shmangur urdhrat e tyre.

Ai mund të marrë edhe formën e korporatave qeveritare ose kompanive private që veprojnë në mënyrë të pavarur nga kontrolli rregullator dhe qeveritar.

Koncepti i Deep State është përdorur për herë të parë në Turqinë e Qemal Ataturkut.

State capture apo kapja e shtetit vjen me një koncept edhe më të qartë dhe nënkupton korrupsionin sistematik politik, në të cilin interesat private ndikojnë ndjeshëm në proceset e vendimmarrjes së shtetit në favor të tyre.

Përkufizimi klasik i kapjes së shtetit i referohet mënyrës se si procedurat formale (siç janë ligjet dhe normat shoqërore) dhe burokracia qeveritare manipulohen nga individë dhe firma private në mënyrë që të ndikojnë në politikat dhe ligjet e shtetit në favor të tyre. Kapja e shtetit kërkon të ndikojë në formimin e ligjeve për të mbrojtur dhe promovuar interesat private. Në këtë mënyrë ai dallon nga format e tjera të korrupsionit, të cilat synojnë zbatimin selektiv të ligjeve ekzistuese.

Termi ‘state capture’ është përdorur për herë të parë nga Banka Botërore, rreth viteve 2000, për të përshkruar situatën politike dhe ekonomike në shtetet e Azisë qëndrore që ishin futur në procesin e tranzicionit, pas rënies së sistemit komunist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat