Tahiri hyn në sagën e shtyrjeve të gjyqit, as sot nuk u zhvillua seanca

Shqipëria

Tahiri hyn në sagën e shtyrjeve të gjyqit, as sot nuk u zhvillua seanca

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 10:06
Saimir Tahiri

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet më 17 korrik, për shkak se duhet të saktësohet prokurora për Gjergj Kohilën, ish-shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë, i cili ndodhet në arrati.

Kjo është hera e dytë që shtyhet seanca për Tahirin, çka paralajmëron se procesi ndaj ish-ministrit mund të hyjë në sagën e shtyrjeve të gjyqit.

Ish-ministri nuk foli për gazetarët pas vendimit të trupit gjykues për të shtyrë procesin.

Edhe seanca e parë gjyqësore ndaj Saimir Tahirit u shty për shkak të mungesës në sallë të ish tre zyrtarëve të policisë së Vlorës; Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila.

Gjykata tha se duhet të rinjoftohen edhe njëherë tre personat e lartpërmendur, pasi nuk kanë marrë dijeni për nisjen e procesit, por ndërkohë Jaeld Çela kishte lëshuar në datën 17 qershor një prokurë që thoshte që ishte dakord të përfarohej në mungesë nga avokati i tij.

Shtyrja e procesit gjyqësor nuk i ka pëlqyer Saimir Tahirit as herën e parë, i cili tha se kjo po bëhet  qëllimisht dhe se ka persona që nuk janë të interesuar për drejtësi. Tahiri i kërkoi Gjykatës që proceset të bëhen çdo ditë, që kjo të marrë fund.

Në seancën paraprake, Saimir Tahiri ka kërkuar që procesi të bëhet me kohë të shkurtuar, gjë që nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.

Nëse kjo kërkesë e tij pranohet, procesi mbyllet me 3 seanca: një për Prokurorinë që shpall pretencën; një për avokatët që bëjnë mbrojtjen; dhe e fundit për gjykatën që shpall vendimin; duke eliminuar kështu debatin gjyqësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat