Miratohet “paketa antishpifje” për mediet online/ Gjonaj: Nuk cenon lirinë e shprehjes

Shqipëria

Miratohet “paketa antishpifje” për mediet online/ Gjonaj: Nuk cenon lirinë e shprehjes

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 20:36
Etilda Gjonaj

Këshilli i Ministrave miratoi sot “Paketën antishpifje”, pas një pune disamujore me grup ekspertësh dhe një sërë konsultimesh me aktorë ndërkombëtarë dhe vendas.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila theksoi në një deklaratë për shtyp se “kjo paketë synon rregullimin në disa ligje kryesore për shërbimet e medias në tërësi dhe publikimeve elektronike në veçanti. Paketa antishpifje në asnjë dispozitë të saj, nuk cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e tregut, por synon përcaktimin e disa standardeve etike në mënyrë që të respektohet dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut”.

“Kjo iniciativë erdhi si pasojë e një fenomeni shqetësues jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian, ku media shpeshherë përdoret si instrument duke pasur për referencë jo faktet konkrete, por lajmet e rreme. Tashmë dihet se një shqetësim i vërejtur në shoqërinë tonë është përhapja në kohë reale e lajmeve të pavërteta, duke u shndërruar pas çdo dite në një problematikë për pavarësinë e gazetarëve, dinjitetin e qytetarëve dhe jetën familjare”, – nënvizoi Gjonaj.

Sipas saj, mungesa e transparencës të një sërë platformash online, mungesa e regjistrimit të tyre si në çdo shtet europian, kanë qenë arsyet e rishikimit të kuadrit ligjor ekzistues me qëllim parandalimin dhe zvogëlimin e efekteve negative që përcjell në shoqëri keqinformimi dhe përhapja e lajmeve të rreme.

Ministrja Gjonaj u shpreh se “rritja e përdorimit të shërbimeve jo lineare dhe platformave online, e bën të nevojshme përditësimin e kuadrit ligjor rregullues, në mënyrë që të reflektojë zhvillimet e tregut mediatik dhe të arrihet një balancim i drejtë midis ofruesve të shërbimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit. Kjo me qëllim që të garantohet konkurrenca e medieve që operojnë si ato elektronike dhe media tradicionale. Paketa e re ligjore e miratuar sot nga Këshilli i Ministrave, synon që të rregullojë regjistrimin e platformave që ofrojnë shërbime mediatike dhe publikimeve elektronike”.

Regjistrimi i portaleve, vijoi ajo, i shërben transparencës mbi pronarët e medieve, shmangies së konfliktit të interesave, ndikimit të papërshtatshëm të aktorëve politikë, garantimin e pavarësisë së gazetarëve si dhe pluralizmit të medias.

Më konkretisht: Paketa Antishpifje konsiston në ndërhyrjet ligjore në ligjin “Për mediet audiovizive”, ligjin “Për komunikimet elektronike”, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” si edhe në VKM-në për masat e mbrojtjes së fëmijëve nga aksesi në përmbajtje të paligjshme në internet.

“Këto ndërhyrje sigurojnë procedura të shpejta administrative mbi trajtimin e ankesave për programet e publikuara nga Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike; reagim të shpejtë të institucioneve publike në rast të konstatimit të cenimit të të drejtave të individëve, duke parashikuar një procedurë të qartë me hapa konkretë për trajtimin e ankesave; krijimin e një regjistri që administrohet nga AKEP ku regjistrohen Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike, të pajisur me numër të regjistrimit të personit të tatueshëm, ose të regjistruar në regjistrat tregtarë. Po ashtu ofruesit e shërbimeve mediatike do të monitorohen nga AMA”, – theksoi Gjonaj.

Gjonaj informoi se kjo paketë është konsultuar jo vetëm me aktorë vendas, grupe interesi dhe gazetarë, por edhe partnerë ndërkombëtarë si OSBE dhe Bashkimi Europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat