'Demokracia që 'çirret' për ekonomi'/ Ish zv/ministrja e Ramës: Në varfëri drejtësia është luks, korrupsioni zakonshmëri, pandëshkueshmëria përfitim

Shqipëria

'Demokracia që 'çirret' për ekonomi'/ Ish zv/ministrja e Ramës: Në varfëri drejtësia është luks, korrupsioni zakonshmëri, pandëshkueshmëria përfitim

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 19:40
Irena Beqiraj

Konsolidimi fiskal, modeli i ri ekonomik, shfaqen sot anemik e të dobët, duke rritur pasigurinë mbi të ardhmen.

Kështë shprehet në analizën e saj Irena Beqiraj, ish zv/ministre e Financave në qeverinë “Rama 1”.

Sipas zonjës Beqiraj, përpjekjet tona  kokëfortë për ta bërë debatin politik pjesë të pandarë të tavolinës së çdo shqiptari, kanë  zvogëluar  mijëra fish mundësinë  për ta bërë rritjen ekonomike pjesë të ekonomisë familjare të shqiptarëve.

Postimi i plotë i Irena Beqirajt:

DEMOKRACIA QE "CIRRET " PER EKONOMI!

Mbajtja e rritjes së qëndrueshme ekonomike  nje objektiv i rëndësishëm dhe i arritshëm për Shqiperinë po lëkundet. Si të gjitha "Fitoret " e  këtij vendi, konsolidimi fiskal, modeli i ri ekonomik, shfaqen sot anemik, të dobët , me përmirësime  të luhatshme duke rritur pasigurinë mbi të ardhmen.

Problemet kryesore të vendit qëndrojnë në mungesën e vëmendjes që u kushtojmë nevojave thelbësore të njerëzve, veçanërisht të të varfërve dhe të rinjve.

Sot rritja ekonomike  qartazi tregon se përpjekjet tona  kokëfortë për ta bërë debatin politik pjesë të pandarë të tavolinës së çdo shqiptari, kanë  zvogëluar  mijëra fish mundësinë  për ta bërë rritjen ekonomike pjesë të ekonomisë  familjare të shqiptarve.

A i shfrytëzuam mirë burimet publike të gjeneruara  për të përmirësuar kushtet e jetesës së njerëzve?  A përjetojmë një mungesë të vazhdueshme të shërbimeve sociale cilësore  siç janë shkollimi dhe kujdesi mjekësor, si dhe të shërbimeve baze si psh: uji i sigurt, energjia elektrike, kullimi, transporti dhe kanalizimet?

A mos ka ardhur koha që strategjinë e kaherëshme do bejmë më  shumë  me më pak, ta zëvendesojmë me strategjinë " do të bëjmë aq sa mundemi por saktë?

Cdo njeri që ka kaluar një javë në politikë (edhe një javë në politikë është kohë e gjatë) do të nënqeshte  duke menduar politikisht,  që strategjia e dytë naivisht e sinqertë nuk na duhet sepse nuk shet .Por kujt po " i shitemi "  vallë?

Ekonomia  jonë  kërkon pikërisht  një reflektim të  sinqertë , të  hapur , gjithëpërfshirës jashtë konfliktit politik  afatgjatë, larg propagandës,  brenda nesh e më afër mirëqënies së shqiptarëve . 

Ekonomia jonë ka nevojë urgjente për  dije , pasi  rritja ekonomike do të vazhdojë të  kërcënohet jo vetëm nga mungesa e infrastrukturës sociale dhe fizike por mbi të gjitha  kërcenohet nga neglizhenca karshi burimit bazë të saj, zhvillimit të aftësive njerëzore.  Injoranca na ka  kushtuar  e po na kushton cdo ditë e më shumë. 

Sistemi ynë demokratik është jo fare çuditërisht  në kaos.

As i pari  e as i fundit , në historinë botërore të njerëzimit, rasti shqiptar konfirmon  se demokracitë  janë jashtëzakonisht të brishta kur përballet me varfërinë. Tash e 30 vjet, ëndërrojmë, kërkojmë  "demokracinë e paepur" të vendeve të zhvilluara  .

Tash e 30 vjet,  harrojmë që njerëzit e varfër kanë më shumë gjasa të qeverisen nga diktatorët,  bëhen lehtësisht pjesë e dhunës kolektive . Në varfëri  drejtësia është luks , korrupsioni zakonshmëri , pandëshkueshmëria përfitim që u takon  ekskluzivisht  elitave politike.  

Ndër njerëz të varfër, fitoret  politike , pavarësisht llojit të tyre janë po aq të paqëndrueshme sa ekonomia ku ngrihen  . Ato  i ngjajnë ngrehinave të ndërtuara mbi kraterin e një vullkani.

Në luftën  për të ndërtuar demokracinë ,  duhet të hapim veshët e qartësisht do të  dëgjojme që demokracia po cirret mbi të gjitha për ekonomi !

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat