Meta me Engel në Tropojë/ Kongresmeni amerikan shpallet qytetar nderi, lule te shtatorja e Azem Hajdarit

Shqipëria

Meta me Engel në Tropojë/ Kongresmeni amerikan shpallet qytetar nderi, lule te shtatorja e Azem Hajdarit

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 18:55
Eliot Engel dhe Ilir Meta

Rruga Gjakovë-Qafë Morinë-Tropojë do të mbajë emrin e Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme, në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, të cilit iu dha edhe titulli qytetar nderi i Tropojës.

Presidenti Ilir Meta i shprehu mirënjohjen bashkive të Tropojës dhe të Gjakovës, që i kanë vendosur kësaj rruge emrin e “Eliot Engelit”.

“Kudo, në të gjithë botën e kam ndjerë kujdesin e përpjekjet e tij për njohjen e Kosovës. Sot, në praninë e tij dua të theksoj diçka shumë të thjeshtë: Nuk ka forcë në botë, që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro-amerikane! U përpoq komunizmi për pesëdhjetë vite, të shuante çdo ndjenjë pro-amerikane, por ja që nuk ia arriti dot, për shkak se historia e dy vendeve dhe kombeve tona është shumë e thellë dhe është e pa rrezikuar, pavarësisht se intrigat asnjëherë nuk do të përfundojnë, për t’i përçarë shqiptarët, në emër “gjoja” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, tha Meta.

Eliot Engel u shpreh se: “Aleanca mes popullit shqiptar dhe atij amerikan gjithmonë do të sjellë fat”.

“ Unë”- tha ai, “ua them miqve të mi në Nju-Jork dhe Uashington, se mund të udhëtosh anembanë botës si amerikan, por askund nuk do të trajtohesh aq mirë se sa nga miqtë tanë shqiptarë”.

Pas kësaj ceremonie, Presidenti së bashku me Kongresmenin Engel, vendosën në shenjë respekti, një buqetë me lule, te shtatorja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

“Sa herë vij në Tropojë nuk mund të mos ndaloj para shtatores së liderit të Lëvizjes Studentore dhe mikut tim të Dhjetorit ’90, Heroit të Demokracisë dhe Pluralizmit në Shqipëri, Azem Hajdari”, tha presidenti Meta.

Por pak përpara vendosjes së luleve tek monumenti Azem Hajdarit, e bija, Rudina Hajdari, publikoi një mesazh ku thoshte:

“ Zoti President dhe zoti Besnik Dushaj, kur të jeni sot para bustit të tim eti, në Tropojë, duke u hequr si pro-Amerikan të thekur, mos harroni t’i thoni tim eti, që fëmijët e tu nuk janë këtu, se kështu urdhëroi Partia. Mua më ndaluat të vi në Tropojë, por në Kosovë jo”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat