Policia reagon për sulmin ndaj makinës së Lubonjës! E quan “zhurmë mediatike” dhe sqaron ngjarjen

Shqipëria

Policia reagon për sulmin ndaj makinës së Lubonjës! E quan “zhurmë mediatike” dhe sqaron ngjarjen

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 19:50
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht në lidhje me daljen në media të një sulmi që I është bërë makinës së analistit të njohur shqiptar Fatos Lubonja.

Policia e Shtetit e quan “zhurmë mediatike” publikimin në media të një ngjarje e cila në fakt ka ndodhur më 1 korrik dhe nuk është raportuar.

Ja çfarë thotë policia:

Në pergjigje të zhurmës mediatike që po bëhet për dëmtimin e xhamit të automjetit të zotit F. Lubonja, Policia e Shtetit sqaron:

Më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar, shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50 vjeçarin, nga Tirana.

Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor.

Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A.L, vëllai i zotit F. Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për ”Dhunë në familje“, “Kanosje”, “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta”.

Me këtë rast, Policia e Shtetit hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të gjitha insinuatat e bëra në drejtim të punës së saj, e cila, edhe në këtë rast, ka qenë plotësisht profesionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat