Fjalimi përmbyllës, Basha: Rama e ka marrë vulën e largimit nga shumica e shqiptarëve

Shqipëria

Fjalimi përmbyllës, Basha: Rama e ka marrë vulën e largimit nga shumica e shqiptarëve

Më: 8 korrik 2019 Në ora: 20:41
Lulzim Basha

(E plotësuar) - Në fjalimin përbyllës nga selia e Partisë Demokratike, kreu i kësaj force politike ka thënë se kryeministri Edi Rama, e ka marrë vulën e largimit nga shumica absolute e shqiptarëve.

Sipas tij shumica absolute e shqiptarëve e kanë përqafuar thirrjen “Rama ik”.

“Falë betejës suaj edhe kur gazi mbushte mushkritë tuaja, falë sakrificës suaj sot shumica absolute e shqiptarëve kanë përqafuar thirrjen, “Rama ik”. Vulën e largimit e ka marrë nga shumica absolute e shqiptarëve”, tha Basha.

Kryedemokrati tha më tej se ditët e javëve në vijim do të jenë ditë dhe javë aksioni të ngjeshur politik për ti dhënë sipas tij forcë dhe besueshmëri ndryshimit të vërtetë për çdo shqiptar.

"Duhet ta dinë mirë sot dhe në ditët në vijim. PD, opozita e bashkuar e kanë dëgjuar klithmën tuaj për ndryshim. Ndryshimi qëllimi ynë kryesor. Javët, ditët e javëve në vijim do të jenë ditë dhe javë aksioni të ngjeshur politik për ti dhënë forcë dhe besueshmëri ndryshimit të vërtetë për çdo shqiptar. Nuk mund të jetë çështje fjalës por veprash dhe garancish. Të mos mjaftohemi me rotacionin politik që po vjen por t’u japim shqiptarëve atë që kërkojnë, fund tranzicionit politik, standarde europiane. Keni mirënjohjen time, respektin tim. Të gjithë bashkë do t’i japim formë shpresës për ndryshim. Kam nevojë për ndihmën tuaj, qëndresën tuaj, vëmendjen tuaj teksa bashkë e mbyllim njëherë e mirë derën e tranzicionit, duke lënë jashtë Edi Ramën”, deklaroi kreu i PD.

Basha: Rama dëshiron të jemi të nënshtruar pasi kështu na plaçkit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka quajtur qeverinë Rama si më të korruptuarën në Evropë, duke thënë se opozita vazhdon të jetë këmbëngulëse për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ai gjatë një fjalimi në protestën e dhjetë të opozitës sonte në Tiranë deklaroi se më 30 qershor u izolua krimi dhe u ndëshkua krimi.

“Jeni triumfi i shpresës mbi dëshpërimin, jeni triumfi i kurajës mbi frikën dhe triumfi i popullit ndaj këtij regjimi. 30 qershori është një referendum kundër së keqes”, tha Basha duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama nga pushteti.

“30 qershori hyri në histori si dita kombëtare e kurajës kur shqiptarët treguan se shqiptarët kanë forcën të ndahen nga e keqja. 30 qershori ishte dita kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminel të Edi Rama”, shtoi ai.

Kreu demokrat tha se kryeministri Rama vodhi votat edhe në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat i bojkotoi PD-ja.

“Edi Rama bleu, kërcënoi, joshi dhe prapë nuk ia doli ta mbyste vullnetin e shqiptarëve të bashkuar. 30 qershori dhe shumë ditë të tjera më parë në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë ka qenë triumfi i vërtetës dhe i bashkimit mbi përçarjen. Regjimi i Ramës me gënjeshtra u mundua të trembë shqiptarët të mos bëhen bashkë kundër tij. Rama do që ne jemi të nënshtruar, të heshtur, sepse kështu na plaçkit e na grabit dhe kështu ruan pushtetin dhe paratë që ka vjedhur”, u shpreh Basha, duke shtuar se Qeveria Rama është më e korruptuara në Evropë. 

Opozita heq dorë nga molotovët, protesta nis paqësore me simbolikë të veçantë

Opozita e bashkuar po zhvillon protestën e saj të radhës në Tiranë.

Shqiponja e flamurit kombëtar është vendosur në qëndër të protestës së opozitës.

Në zemër të saj shkruhet shifra “85%”, aq sa është përqindja e shqiptarëve, sipas Partisë Demokratike, që refuzuan kryeministrin Edi Rama në votimet e 30 Qershorit.

Sipas opozitës, në votimet e të dielës së 30 qershorit dolën vetëm punonjësit e administratës të cilët u kërcënuan me vendet e punës.

PD dhe opozita bënë thirrje për braktisjen e votimeve të 30 qershorit.

***

Kjo është protesta e parë e opozitës, pas 30 qershorit.

Pritet mbërritja dhe qëndrimi i krerëve të dy partive kryesore, Lulzim Basha dhe Minika Kryemadhi.

Ndërkohë Presidenti Ilir Meta bëri thirrje që protesta të zhvillohet paqësisht.

Në protestat e fundit, gati një javë para zgjedhjeve, opozita zgjodhi të protestonte pa dhunë por përmes simbolikave. Të njëjtën gjë ka bërë edhe në protestën e sotme. .

Mes simbolikave të kësaj proteste është edhe një gomar ”Rama ik”, simboli i Shqiponjës si dhe një kuti votimi ku shkruhej se 85 për qind nuk morën pjesë në votime! 

Image
Image

Fillon protesta e dhjetë kombëtare e opozitës në Shqipëri

Anëtarë të degës numër 7 të PD, si dhe mbështetës të opozitës dhe qytetarë protestues janë nisur në këmbë deri në qendër të kryeqytetit, për të marrë pjesë në protestën e 10 kombëtare të thirrur nga opozita e bashkuar.

Në duar ata mbajnë një pankartë të madhe ku shkruhet “Rama ik” në 3 gjuhë, shqip, anglisht dhe gjermanisht, si dhe kujtohet shifra prej 85 % e shqiptarëve që sipas PD refuzoi farsën e 30 qershorit.

Në pankartë thuhet se “85 % e shqiptarëve që refuzuan farsën, shprehën besimin e tyre tek e ardhmja që po vjen, tek Partia Demokratike dhe tek Lulzim Basha”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat