2 orë protestë paqësore, qytetarët mbushin kutitë me fletët “Rama Ik”

Shqipëria

2 orë protestë paqësore, qytetarët mbushin kutitë me fletët “Rama Ik”

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 07:39
Ilustrim

Në protestën e 10 kombëtarë, mijëra qytetarë dolën në shesh për të dënuar procesin fals të 30 qershorit. Pankarta dhe simbole kundër zgjedhjeve farsë. Basha: Nuk ka zgjidhje politike pa u ndëshkuar vjedhësit e votave

Qindra-mijëra qytetarë mbushën sheshin “Dëshmorët e Kombit” dje në mbrëmje, për të protestuar sipas tyre kundër së keqes së ardhur nga qeverisja socialiste. Prej orës 20:00 opozita e bashkuar ka nisur protestën e 10 kombëtare kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë se e ka kthyer vendin në sistem diktatorial me mjete demokratike. Ashtu si në protestat e kaluara, edhe në protestën e djeshme dominuan simbolikat e ndryshme, të cilat ironizonin 30 qershorin, një proces votimi tërësisht socialist dhe i pavlefshëm. Në mesin e protestuesve, pati përfaqësues nga shoqëria civile dhe banorë të Unazës së Re, të cilët kanë më shumë se 6 muaj që protestojnë. Po ashtu, një përfaqësi e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar protestuan të revoltuar në krah të opozitës, teksa mbanin në duar pankarta që shpalosnin kauzën e tyre dhe të gjithë shqiptarëve kundër keqqeverisjes së kryeministrit Rama. Ndërsa opozita bëri thirrje që në nisje për një protestë paqësore, e cila mbeti e tillë me përjashtim të një rasti, kur pranë ministrisë së Brendshme, një person shfaqi gjendje jo të mirë shëndetësore, por që mori menjëherë ndihmën e parë nga ambulanca. Mbetet e paqartë nëse ai ishte pjesë e protestës apo jo. Kujtojmë, se opozita shqiptare që me lënien e mandateve ka ndjekur rrugën e protestave, përmes të cilave kërkojnë të realizojnë qëllimin  e tyre për largimin e Ramës krijimin e një qeverie tranzitore, që i hap rrugë votës së lire dhe të ndershme.

Simbolikat

Mbrëmjen e djeshme Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte i mbushur me protestues, të cilën mbanin në duar flamuj kuqezi, të SHBA dhe BE-së si dhe pankarta me të cilat kërkonin largimin e kryeministrit Edi Rama. Në protestën e 10 kombëtare të opozitës kanë dominuar simbole ironike në adresë të kryeministrit Rama, kryesisht për 30 qershorin, duke cilësuar një votim fals. Një kuti e madhe votimi 2 metra e lartë ka dalë nga selia e PD dhe është bashkuar protestuesve para kryeministrisë. Kutia e madhe mbahej nga të rinjtë që në fytyrë mbanin maskat e protagonistëve të dosjeve të vjedhjes së votave 339 dhe 184, Vangjush Dakos, Damian Gjiknurit, Saimir Tahirit dhe zyrtarëve të tjerë që kanë dalë në përgjimet e BILD. Kutia ndiqej nga disa gomerë të veshur me bluza me logon PS30 dhe gjatë gjithë kohës është mbushur me “fletë votimi” me sloganin: “Rama ik”. Një tjetër simbolikë interesante ka qenë një shirit me mbishkrimin ERTV, që mbanin në gojë një grup të rinjsh dhe simbolizonte kufizimin e fjalës së lirë nga kryeministri Rama. Një tjetër simbolikë e protestës së djeshme të opozitës ishte edhe shqiponja e flamurit kombëtar në zemër të së cilës shkruhej shifra “85%”, aq sa është përqindja e shqiptarëve që opozita pretendon se e refuzuan Ramën në votimet moniste të 30 Qershorit. Opozita bindi shqiptarët që të refuzojnë procesin e njëanshëm të Ramës duke e lënë vetëm me 15 për qind të votuesve të cilët u detyruan të dalin me dhunë në votime pasi duke qenë në administratë humbisnin vendet e punës. PD dhe opozita gjatë gjithë muajit qershor i bënë thirrje shqiptarëve që të braktisin votimin personal të Edi Ramës me 30 qershor.

Basha: 30 qershori, referendum kundër të keqes!

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka marrë fjalën në protestë duke nisur me 30 qershorin, që e cilësoi një referendum kundër së keqes. Ai tha se Edi Rama kërcënoi, dhunoi, bleu, joshi po nuk ia doli të thyente shqiptarët e bashkuar. “Jemi triumfi i shpresës mbi dëshpërimin. Jemi triumfi i kurajës mbi frikën. Jemi triumfi i popullit mbi regjimin. Një javë më parë më 30 qershor, ne refuzuam të keqen, izoluam krimin, ndëshkuam korrupsionin. 30 qershori është një referendum kundër së keqes. 30 qershori është një monument i mrekullueshëm i lirisë, europianizmit dhe qytetarisë së shqiptarëve. 30 qershori hyri në histori si dita kombëtare e kurajës kur shqiptarët treguan se ata kanë forcën të ndahen nga e keqja. 30 qershori ishte dita e popullit kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminal të Edi Ramës. Vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe prapë i vodhi votat Edi Rama, por ai nuk mundi ta fshehë dot braktisjen dhe refuzimin e një populli. 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e tij, refuzuan krimin dhe korrupsionin, refuzuan varfërinë dhe mungesën e shpresës. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është bashkuar me protestuesit në sheshin para Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij Basha u shpreh se pa u ndëshkuar ata që vodhën votat nuk do të ketë zgjidhje politike të krizës. “Dua ta deklaroj sonte para botës, derisa të dalin para drejtësisë ata që vodhën votat e shqiptarëve bashkë me krimin nuk do të ketë zgjidhje politike. Do përdorim çdo mjet t’i nxjerrim ata para drejtësisë së pavarur”, theksoi Basha.

Porosia

Për protestën simbolike të opozitës, e cila përmes pankartave të ndryshme ka ironizuar votimin socialist të 30 qershorit, ka reaguar edhe Meta pak minuta para fillimit të protestë-marshimit. Teksa bëri thirrje për protestë paqësore, kreu i shtetit tha se 30 qershori provokoi demokracinë dhe kërkoi që të mos bënin zhurmë, duke ironizuar kështu punën e KQZ-së e cila sipas tij po punon ditë e natë që të përputhë rezultatet. “Ju ftoj të vazhdoni të protestoni vetëm paqësisht, për ta bërë kauzën tuaj edhe kauzën e shumicës së atyre që u detyruan të merrnin pjesë në farsën e 30 qershorit. Nga ky test shumë i rëndë ku u provokua demokracia jonë dhe bashkëjetesa qytetare, kjo kauzë i ka të gjitha mundësitë për të dalë shumë më e fortë vetëm përmes rezistencës qytetare dhe paqësore. Ju lutem dhe për sa më pak zhurmë sot, në respekt të organizatës socialiste në KQZ, që po punon ditë e natë të përputhë rezultatet, me tejkalimet e shfrenuara që vazhdojnë çdo moment”, ka thënë Meta.

Kryemadhi: Protestë e shqiptarëve, për t’i dhënë fund tranzicionit

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, tha në mesin e protestuese se protestat nuk duhet të quhen më protesta të opozitës, por të shqiptarëve të cilët duan më shumë punë e taksa të ulëta. “Protestat nuk do të mbarojnë deri sa të mbyllet kjo vuajtje e jashtëzakonshme. Problemi nuk është te metodat, vjen te mënyra në të cilën është organizuar struktura kriminale e Ramës. Me procesin farsë mori goditjen ballore, dhe ndërkohë kemi një varfëri të jashtëzakonshme, një largim në masë të të rinjve. Janë protesta të shqiptarëve, protestat janë për të zgjidhur përfundimisht tranzicionin. Nuk ka bërë vaki që ky reagim qytetar i Shqipërisë, këtë reagim kaq të madh Shqipëria e ka patur vetëm në vitet ’90 kur u ngritën kundër regjimit”, tha Kryemadhi për mediat, ndërsa komentoi edhe votimin në parlament për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për presidentin Meta. “Është një parlament që vjen si rezultat i parave të krimit. Sot shqiptarët nuk kanë hallin e karriges së Metës, të gjithë thërrasin se duan punë, taksa të ulëta, BE, me këtë qeveri Shqipëria nuk do jetë kurrë në BE, Rama po e çon vendin drejt një izolimi total. Kapja e reformës në drejtësi, e ekonomisë shqiptare për ta kthyer në lavatriçe të parave te pista e drogës, dhe këtë se thotë opozita por ndërkombëtarët”, vijoi më tej Kryemadhi. Kryemadhi i quajti votimet e 30 qershorit ilegjitime duke shtuar se zgjedhjet janë më 13 tetor. E pyetur nga gazetarët, nëse ka frikë nga drejtësia siç deklaron kryeministri Edi Rama, Kryemadhi tha se ‘i ngatërrohen zorrët e barkut’, kur flet ai për drejtësinë. E pyetur për kryebashkiakët e opozitës që duhet të lënë zyrën, kryetarja e LSI-së tha se ata do jenë kryetarë bashkie deri në zgjedhjet e tjera. “Zgjedhjet janë më 13 tetor. Votimet e PS janë të PS dhe janë ilegjitime. Ka një dekret presidenti të cilin e keni dhe në raportin e OSBE. PS po të donte mund t’i drejtohej gjykatës kushtetuese. Ka dhe një proces komplet të uzurpimit të sistemi të drejtësisë. Aman se na ngatërrohen zorrët e barkut të dalë Edi Rama të flasë për drejtësinë. Kam vetëm një drejtësi të sjelljes së Edi Ramës në pushtet. I kemi dhënë pushtet një njeriu të çmendur, të kapur nga krimi. Është një drejtësi që do ta paguajmë diku tjetër jo këtu. Sot nuk është çështje date por çështje standardesh”, ka përfunduar kryetarja e LSI-së.

“Hetimi i Metës puç kushtetues”

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmjen e djeshme se kryeministri Edi Rama do të kalbet 37 vjet në burg me vjedhjet dhe aktet e tij antikushtetuese. Kjo është përgjigjja që ai dha kur u pyet nëse ka frikë nga drejtësia. Në një prononcim i vendosur mes protestuesve të thirrur nga opozita, Berisha e cilësoi puç atë çfarë po bën maxhoranca ndaj Presidentit të Republikës Ilir Meta. “Tani ai është një armik i egër i lirisë, i shëndetit, i interesit kombëtar, i këtij kombi. Po kryen një puç tani në parlament ndaj Presidentit të Republikës, ndërkohë që ekspertiza ndërkombëtare shpalli se dekretet e tij janë në fuqi”, tha Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat