Tregtarët: Nitrate e hormone edhe tek prodhime të tjera

Shqipëria

Tregtarët: Nitrate e hormone edhe tek prodhime të tjera

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 16:40
Tregtarët

Qytetarët dhe tregtarët u kërkojnë autoriteteve të ndëshkojnë fermerët, të cilët përdorin kimikate mbi normat e lejuara tek frutat dhe perimet.

“Shko te fermeri dhe thuaji, ku e ke marrë, si e ke nxjerre. Se po e ndëshkove njëherë ti atë, futi një gjobe ti atij…

Pas zbulimit te skandalit nga Televizioni Klan dhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, se pjepri dhe shalqini kane nivele të larta të nitratit, tregtarët thonë se qytetarët janë frikësuar dhe nuk po blejnë më si më parë.

Ka rënë puna?

Po, ka rënë

Edhe ata qe nuk i kane ndjekur denoncimet ne media, thonë se janë të frikësuar, pasi autoritetet nuk arrijnë t’i garantojnë që prodhimet që ata blejnë, të vendit apo të importit, i kalojnë më parë filtrat e kontrollit dhe të analizave laboratorike.

“Nuk i kam parë fare, por ua kam frikën vetë. Unë kam njerëz në fshat dhe e di shumë mirë se qysh e tek”.

“Se ne jemi të mëdhenj, por fëmijët? Kanë faj edhe doganat, bllokoji që atje”.

“Është një dozë shumë e lartë që në na bën të mos blejmë asnjë gjë”.

Dyshimet janë se i gjithë zinxhiri i kontrollit nuk funksionon, që nga agronomet që duhet te certifikojnë protokollet e mbjelljes dhe rritjes se produktit, bashke me kimikatet që duhet të përdoren dhe nivelin e tyre, e deri tek inspektoret e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që duhet t’i analizojnë prodhimet bujqësore përpara se të dalin ne treg, ashtu siç veprojnë vendet e rajonit, qe nuk lejojnë asnjë prodhim shqiptar të hyjë në tregjet e tyre, pa u bërë më parë analizat.

I kontrollojnë ata, ne nuk i kontrollojmë.

Vetë tregtaret pranojnë se janë në dijeni të abuzimit që kryhet me kimikatet. Për këtë arsye, disa prej tyre thonë se zgjedhin fermerë të besuar.

“Atje ku marrim ne, te fermerët që marrim ne, është i garantuar, dhe jo në e blejmë mallin në treg të lirë”.

Kontrollet, thonë tregtarët, mungojnë. Vetëm para 1 jave kanë parë një agronom, që nuk e dinë se çfarë përfaqëson, i cili ka gjetur prodhime te tjera me nivele të larta të nitratit apo me hormone, si karota, kungulli apo patatja. Por agronomi nuk ka mbajtur asnjë procesverbal.

“ Para 1 jave ka qenë agronomi, me aparaturën e vet që e ka matur. Dhe sa për dijeni, për ta bindur dhe popullin dhe klientin, më shumë harmon ka nxjerre përqindje karota, sesa pjepri dhe shalqini. Domatja shumë e saktë, sallatori shumë i saktë…”

“Edhe kungulli i bardhë, që konsumatori i përdor për fëmijët. Domethënë gjëja që ata duhet të ruajnë më shumë fëmijët, ata atje…”

“ Karota ka dalë një çikë me përqindje… patatja, kurse të tjerat kanë plehra kimike shumë, hormone nuk kanë.”

Ndonjë procesverbal a ju la? Ndonjë shkresë?

Jo, jo.

E për shkak se kontrollet e duhur për të garantuar sigurinë ushqimore mungojnë, tregtaret thonë se edhe këtë proces e kryejnë vetë.

–Unë tregtoj kungullin jeshil që s’ka fare… që ka fare pak përqindje.

Atëherë, ju Beni vetëkontroll?

 Vetëkontroll, shpirt, vetëkontroll. Nuk e fus fare, se nuk ma merr konsumatori.

“Këto duhet të eliminohen që tek prodhuesi, pastaj tek neve. Duhet të kontrollojnë në sera ku ndodhen serat. Të ngrëne një grup kontrolli. Aty duhet të kontrollojnë që ai ku e merr prodhimin. Po e eliminove që atje, stop, ky prodhim nuk do të shkojë në treg, atëherë çdo fshatar s’do ta bëjë atë gjë”.

Tregtarë e konsumatorë thonë se kjo është gjendja se ku ka përfunduar siguria ushqimore në Shqipëri, ku askush nuk është i sigurt se çfarë konsumon. Qeveria ka përgatitur disa ndryshime në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime të rënda me burg deri ne 10 vjet për ata që cënojnë sigurinë ushqimore. Por nëse hallkat kontrolluese nuk do të funksionojnë dhe autoritetet do të vazhdojnë të mos i kryejnë detyrimet që u ngarkon ligji, qytetarët do të mbeten në mëshire të fatit.

Të kontrollohen, se po marrin në qafë popullin…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat