Rrëmbim personi, plagosje dhe përndjekje, arrestohen 4 persona në Tiranë

Shqipëria

Rrëmbim personi, plagosje dhe përndjekje, arrestohen 4 persona në Tiranë

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 18:34
ilustrim

“Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje“ dhe “Përndjekja” janë këto akuzat mbi bazën e të cilave janë arrestuar 4 persona në Tiranë.

Gjatë orëve të fundit, kapen dy persona në kërkim për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu arrestohen edhe dy shtetas të tjerë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje“ dhe “Përndjekja”.

Në vijim të punës për kapjen e personave  të shpallur në kërkim, nga shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 2, u bë e mundur kapja e personave F. M., 35 vjeç dhe S. M., 19 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas ishin shpallur në kërkim nga ana e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 12.03.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim. Shtetasit F. M., dhe S. M, iu dorëzuan  Komisariatit  të Policisë Nr. 5 Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Po nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, i shtetasit A. Ll., 24 vjeç, banues ne Tiranë, person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve. Arrestimi i tij u bë pasi në rrugën “Muhamet Gjollesha” Tiranë, për motive të dobëta ka goditur me sende të forta  në kokë dhe trup, shtetasin M. T., 64 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K, 36 vjeç, banues në Laç.

Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor dhe është kapur në rrugën “Myslym Shyri”, nga ana e Seksionit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2.

Shtetasi A. K., ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme ish të dashurën e tij dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj për mos u larguar, por kjo shtetase ka bërë kallëzim në Polici.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Përndjekja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat