Meta uron presidenten e Komisionit Evropian

Shqipëria

Meta uron presidenten e Komisionit Evropian

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 10:37
Ursula von der Leyen.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Zgjedhja juaj në postin e Presidentes së Komisionit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë t’iu përcjell urimet më të mira e të përzemërta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të lartë”  është shprehur presidenti Meta.

Meta ka theksuar se, “është rast fatlum që Komisioni Evropian, për të parën herë, do të drejtohet në pesë vitet e ardhshme nga një grua që mishëron përvojën e drejtimit të suksesshëm dhe vlerat më përfaqësuese të Bashkimit Evropian, në një kohë sfidash të shumta e të shumëllojshme për kontinentin dhe mbarë botën”.

“Si President i një vendi që synon çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, përfitoj nga rasti t’ju shpreh mirënjohjen për qëndrimin tuaj në mbështetje të këtij procesi, si dhe për vijimin e politikës së zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor”, ka nënvizuar Meta.

Njëkohësisht, ka shtuar Meta, “ju siguroj për vijimësinë e angazhimit tim për nxitjen dhe mbështetjen e plotë të reformave që afrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët me Bashkimin Evropian, nën modelin e standardeve të pakompromentueshme evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

“Duke shprehur gjithashtu kënaqësinë e veçantë që Komisioni Evropian do të drejtohet nga përfaqësuesja e një vendi mik dhe partner strategjik, Gjermania, Ju lutem e nderuar zonja Presidente, pranoni, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”, ka përfunduar urimin e tij presidenti Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat