Ndryshime në kodin ajror, “Vetting” edhe punonjësve të aeroportit

Shqipëria

Ndryshime në kodin ajror, “Vetting” edhe punonjësve të aeroportit

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 15:21
Rinas

Grabitja e Rinasit ku u thye perimetri i sigurisë dhe u vodhën miliona euro duket se është bërë shkak për hartimin e një drafti të ri ku parashikohet vetting për punonjësit, në bazë të disa kritereve të lidhura me kontrollin e të kaluarës. Me propozimet e reja pritet të ngrihet dhe një strukturë e veçantë e quajtur “Autoriteti I Investigimit” që do hetojë incidente dhe ngjarje të rënda si ajo e grabitjes me 9 prill.

Drafti i ri parashikon ndryshime në Kodin Ajror të vitit 2008 dhe parashikon se personeli i aviacionit që do të ketë akses në zonat me siguri të kufizuar do ti nënshtrohet vettingut.

Sipas draftit që është ende në faqen e konsultimit paraprak, ky proces përfshin kontrollin e përsëritur të së kaluarës për jo më pak se pesë vjet.

Ky filtrim i punonjësve do të kryhet nga ministria që mbulon çështjet e rendit publik, ndërsa Autoriteti i Aviacionit Civil do miratojë kriteret skualifikuese të lidhura me kontrollin e së kaluarës.

Një tjetër risi në projektligjin e ri është dhe krijimi i një strukturës së “Autoritetit të Investigimit” e cila për incidente apo ngjarje të rënda si ajo e grabitjes së Rinasit, ka të drejtë që të marrë në hetim personat e përfshirë, si dhe të hartojë edhe një raport që duhet t’ia paraqesë Këshillit të Ministrave. Autoriteti i Investigimit do të jetë e pavarura nga drejtoria e aviacionit, të cilët mbikëqyrin vlefshmërinë ajrore, licensimin, operimin e një avioni, mirëmbajtjen, licensimin e personelit, kontrollin e trafikut ajror dhe operimin e aerodromeve.

Autoriteti gjithashtu do jetë i pavarur edhe nga gjithë personat fizikë dhe juridikë, interesat ose misioni i të cilëve mund të jenë në konflikt me detyrën e ngarkuar tek Autoriteti i Investigimit, ose mund të influencojnë në objektivitetin e këtij autoriteti.

Në draft parashikohen në total 165 nene, 18 më shumë se ai aktuali, ku kapituj të veçantë zënë raportimet e incidenteve dhe ngjarjeve të ndodhura si gjatë fluturimit të avionit apo dhe përpara nisjes. Për moszbatim të neneve këtij Kodi parashikohet vendosja e gjobave ku për individët penaliteti shkon deri në 200 mijë lekë të reja, ndërsa për subjektet varion nga 500 mijë deri 2 milionë lekë të reja. Këto sanksione mund të shoqërohen edhe me sanksione në pezullimin ose revokimin e licencës, certifikatës apo dëshmisë përkatëse. Drafti është paraqitur për diskutim me grupet e interesit dhe pritet të kalojë në komisionet parlamentare për miratim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat