Stres, dhimbje koke, humbje e dëgjimit, depresion! Call center një profesion i vështirë

Shqipëria

Stres, dhimbje koke, humbje e dëgjimit, depresion! Call center një profesion i vështirë

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 09:12
Ilustrim

Zhurmë, stres, dhimbje koke, humbje e dëgjimit, depresion, operatorët e call center po vuajnë pasojat e një profesioni të vështirë.

Shumica e tyre shkojnë te psikologu. Krahas vështirësive profesionale ata po përballen me presionin e drejtuesve për t’u ulur pagesat e bonuseve.

Isida Zekaj punon si operatore për më shumë se gjashtë vite. E nisi këtë profesion kur ishte ende studente dhe po vijon të punojë në këtë sektor edhe tani që zotëron një diplomë si inxhiniere ushqimore.

Ka aplikuar në shumë kompani për të filluar punë në profesion, por asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje pozitive. Madje dy herë ka provuar emigracionin, por nuk i eci.

Zhurmë, stres, dhimbje koke, humbje e dëgjimit, depresion, operatorët e call center po vuajnë pasojat e një profesioni të vështirë. Shumica e tyre shkojnë te psikologu…

Thotë se do të tentojë sërish. Përvoja e saj në call center është e gjatë.

Një nga arsyet kryesore pse shumica prej tyre kanë zgjedhur që të punojnë në call center janë oraret fleksibël, por tani po vendosin rregulla strikte.

Dorina Murri punon gjithashtu prej 4 vitesh në këtë call center dhe kërkon që operatorët të paguhen siç janë paguar deri më tani.
Ndër të tjera, ata flasin se punojnë në kushte të vështira dhe nën presionin për të arritur objektivat e përcaktuar. Shumë prej tyre janë të diagnostikuar me sëmundje të shkaktuara nga puna. Dorina është njëra ndër to. Prej shumë kohësh vuante nga dhimbje kronike të kokës, për të cilat iu desh të kryente vizita të specializuara në Itali, ku shkak kryesor sipas diagnozës ishte puna. Duhet të ndryshonte stil jetese. Ndër sëmundjet më të përhapura tek operatorët që punojnë prej vitesh janë: dhembje koke, humbje e pjesshme e dëgjimit, dëmtim i vertebrave, por edhe sëmundje të shëndetit mendor si depresioni. Vajzat pohojnë se shumë prej kolegëve shkojnë edhe te psikologu.

Sipas tyre, puna operatorit në call center duhet të njihet në grupin e profesioneve të vështira. Me datë 17 shkurt, ata kanë krijuar një sindikatë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Vazhdimisht organizojnë protesta në vendin e punës, që menaxherët të përmirësojnë kushtet e punës, veçanërisht higjienike.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se 63% e të punësuarve në sektorin e call center janë femra dhe pjesa tjetër meshkuj. Mosha e të punësuarve llogaritet në 20-40 vjeç, ku mbizotërojnë personat nën 30 vjeç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat