KLSH: Ndryshimet në ligj ulën cilësinë e barnave

Shqipëria

KLSH: Ndryshimet në ligj ulën cilësinë e barnave

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 16:06
Foto ilustrim

Ndryshimet në ligj ulën cilësinë e barnave që vijnë nga jashtë. Është kjo një nga gjetjet e auditit më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të siguruar nga Televizioni Klan, ku thuhet se ndryshimi i ligjit që kushtëzonte kompanitë farmaceutike të importonin vetëm barna që kishin marrë aprovimin e vendeve të Bashkimit Europian uli cilësinë.

“Heqja e detyrimit ligjor për importin e medikamenteve të prodhuara në vendet e  Ballkanit që ato të qarkullojnë në një nga vendet e BE-së”, duke u mjaftuar vetëm që të kenë regjistrim lokal në vendet e origjinës, e kanë ekspozuar publikun shqiptar ndaj barnave të cilat vijnë nga vende që nuk kanë standardet e BE-së në drejtim të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së barnave”.   

KLSH vëren se për shkak të ndryshimit të ligjit u dyfishua importi i barnave nga Turqia, të cilat në 2018-n zunë 11% të totalit. Një tjetër vërejtje e KLSH është mënyra jo e duhur e mbajtjes dhe qarkullimit të barnave nga ana e farmacive.

“Sistemi i farmako-vigjilencës është pothuajse inekzistent në veprimtarinë e tij duke mos pasur fare ndikim në garantimin e sigurisë së barnave në vend. Shërbimet farmaceutike pranë spitaleve vazhdojnë të jenë të paakredituara dhe në kushte jo optimale të sipas praktikave të ruajtjes dhe qarkullimit të barnave”.

Problemet me barnat i konfirmojnë edhe vetë qytetarët. Raporti i KLSH thotë se edhe spitalet publike vijojnë të marrin barna jashtë afatit të skadencës, si rezultat i planifikimeve të gabuara dhe të keqmenaxhimit të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat