Intelektualët, zgjedhje të parakohshme me qeveri apolitike

Shqipëria

Intelektualët, zgjedhje të parakohshme me qeveri apolitike

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 08:10
Ilustrim

Platforma e forumit intelektual/ Të mbahen zgjedhje reale vendore brenda periudhës zgjedhore të vjeshtës. Parlamenti të aprovojë qeveri me ekspertë pa funksione politike. Të ndryshohet Kodi Zgjedhor

Forumi Intelektual Shqiptar e kryesuar nga historiania Elena Kocaqi, ka zhvilluar ditën e shtunë një takim, në të cilin u diskutuan probleme shqiptare dhe mbarëkombëtare. Pas diskutimesh pro e kundër nga të pranishmit, u miratua ngritja e një organizmi të përbashkët të quajtur Forumi Intelektual Kombëtar, i cili do të veprojë në të ardhmen në emër të firmëtarëve. Fondacioni i krijuar nga grupimi i pavarur intelektual, ka konstatuar se vendi është një krizë të thellë politike, çka ka detyruar njerëzit të humbasin besimin. Pas diskutimesh në tryezë, intelektualët kanë dalë me një platformë përmes së cilës kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda vjeshtës, ndryshim të kodit Zgjedhor, sistemin për tu dhënë mundësi emigrantëve të  votojnë nga vendet ku jetojnë dhe krijimin e një qeverie me ekspertë apolitikë.

Platforma

Fondacioni Albana gjykon se shteti shqiptar është në krizë të thellë dhe të gjithë treguesit të çojnë në vlerësimin se kjo krizë e thellë dhe e gjithanshme do të rëndohet më tej. Krimi dhe politika janë në simbiozë dhe në ndërvarësi të plotë e të drejtpërdrejtë. Njerëzit e kanë humbur besimin tek shteti dhe tek politika. Politika është jashtë institucioneve e po bëhet në rrugë, të ardhurat po bien, taksat po rriten, ekonomi reale nuk ka, braktisja e vendit është masive. Vazhdimi në këtë rrugë, ku jemi prej 30 vjetësh, është padyshim rruga e skllavërimit, oligarkizimit, polarizimit, kriminalizimit dhe e përplasjes shoqërore, ku shteti dhe kombi kontrollohen nga një klasë e papërgjegjshme politike. Asgjë e mirë nuk vjen nga vazhdimësia, sepse kjo është marrëzi e krim. Marrëzi sepse vazhdohet të rrëshqitet në humnerë dhe krim, sepse ata që e bëjnë janë të vetëdijshëm për atë që po bëjnë.

Fondacioni Albana gjykon se rruga e duhur është reformimi i sistemit administrativ, institucional dhe politik të vendit, që do të çojë në ekuilibre të reja. Rruga drejt normalitetit është rruga e vendosjes së ekuilibrave shoqërore, politike dhe etnike të mbështetura në parime të qarta morale. Në këtë drejtim, Fondacioni Albana ka nisur një debat mbarëshoqëror për një riorganizim të shtetit dhe të shoqërisë. Kushtetuta që kemi nuk garanton një shtet normal, ekonomia nuk funksionon, politika është jashtë institucioneve shtetërore. Njerëzit e kanë humbur besimin, ndaj na duhet një zgjidhje afatgjatë dhe që projekton të ardhmen që na duhet. Ky debat duhet të jetë një debat mbarëpopullor dhe të prekë të gjithë aspektet e riorganizmit politik, ekonomik, shoqëror dhe institucional të shtetit shqiptar. Nëse nuk vjen nga politika, nisma duhet të vijë nga shoqëria, ajo që është, apo nga ata pak vetë, të cilët kanë mbetur të pastër dhe kanë emër aq sa për të nisur një debat publik.

Ky debat duhet të jetë edhe një debat mbarëkombëtar, sepse problemet e Shqipërisë pasqyrohen edhe në Kosovë, Maqedoni, Luginë e Mal te Zi. Rruga e përplasjes shoqërore ndikon negativisht në pozicionin politik te Kosovës përballë Serbisë, në raportet ndëretnike në Maqedoni, Luginë, Mal të Zi dhe për çështjen e Çamërisë.  Detyrimet kushtetuese e kombëtare të klasës politike në Shqipëri janë edhe ndaj gjithë shqiptarëve në trojet etnike dhe në Diasporë. Për këtë debat, Fondacioni Albana, pasi ka analizuar gjendjen dhe zgjidhjet që intelektualët e pavarur kanë ofruar deklaron dekalogun e saj për zgjidhjen :

Shteti shqiptar, si shteti amë, të garantojë në funksion të Bashkimit Kombëtar:
a- shtetësinë shqiptare menjëherë për çdo shqiptar etnik
b- se do të heqë çdo tarifë doganore ndaj Kosovës dhe çdo pengesë ligjore e burokratike për qarkullimin e lirë të shqiptarëve
c- unifikimin e sistemit arsimor me Kosovën e trojet e tjera shqiptare dhe rishikimin e rolit të historisë dhe gjuhës shqipe si lëndë kyçe identitare
ç- kontrolli i rreptë ndaj financimeve të huaja të paligjshme, që nxisin mes shqiptarëve përçarjen fetare, krahinore e kulturore
d- votën e emigrantëve, duke shërbyer si model për Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi, ku roli i emigrantëve është më i rëndësishëm në marrëdhëniet politike ndëretnike
dh- vendosjen e çështjes çame në rendin e ditës në bisedimet për kufirin detar me Greqinë
2. Një Asamble Kushtetuese që të rishkruajë Kushtetutën e Shqipërisë duke i rikthyer kombit shqiptar sovranitetin dhe vendimmarrjen.
3. Ndryshimi i sistemit elektoral dhe kodit zgjedhor
4. Krijimi i një qeverie të formuar nga ekspertët më të mirë pa parti, me pëlqimin e Parlamentit Shqiptar
5. Mbajtja e zgjedhjeve reale vendore brenda periudhës zgjedhore të vjeshtës
6. Një Parlament me dy dhoma dhe me një Këshill të Shtetit që do të siguronte stabilitet dhe vazhdimësi
7. Autonominë e duhur për sistemin e drejtësisë
8. Vendosja e një numri objektivash realiste për stabilizimin ekonomik dhe zhvillim
9. Përmirësimi në frymë reformatore i sistemeve arsimore, shëndetësore dhe sociale.
10. Krijimi i një sistemi kontrolli dhe balancimi institucional

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat