Tahiri mbërrin në gjykatën e Krimeve të Rënda

Shqipëria

Tahiri mbërrin në gjykatën e Krimeve të Rënda

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 11:32
Saimir Tahiri

sh-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Seanca është shtyrë 3 herë, ndërsa vetë ish-ministri kërkon që procesi ndaj tij mos zvarritet.

Gjykata do të shprehet nëse do të pranojë apo jo gjykim të shkurtuar për ish-ministrin.

Dështimi i Seancës së tretë - Gjykata e Krimeve të Rënda zbuloi mungesën e tri dëshmive të përkthyera në dosjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kjo mungesë e procesverbaleve u bë shkak për shtyrjen e seancës, çka bëri që gjykata të mos shprehej nëse do të pranojë apo jo kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela për gjykim të shkurtuar.

Të mërkurën (17 korrik) gjykata hapi shqyrtimin gjyqësor të çështjes, ndërsa prokurorët lexuan kërkesën për gjykim për dy të pandehurit, Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, ndërsa pezulloi për një vit gjyqin për dy të pandehurit e tjerë Sokol Bode dhe Gjergji Koila.

Seanca u ndërpre kur kryesusi Ardit Mustafai konstatoi se në 74 fashikujt e hetimit të dorëzuar në gjykatë mungonin përkthimet në shqip të dëshmive të të pandehurve Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Meridian Sula, të cilat ishin vetëm në gjuhën italiane.

Prokurorët kërkuan kohë për ta verifikuar dhe nëse nuk gjendeshin të siguronin në kohë përkthimin e tyre. Por ish-ministri kërkoi që seanca të mos shtyhej, duke deklaruar se hiqte dorë nga këto dëshmi që ishin në favor të tij dhe gjykimi të vazhdonte.

Dështimi i Seancës së dytë-Vendimi për shtyrjen e seancës u mor pasi prokura e një prej të pandehurve, Gjergj Kohilës nuk ishte e rregullt.

Dy të pandehurit Jaeld Çela dhe Sokol Bode paraqitën prokura përfaqësimi por që kishin përcaktuar se kishin dijeni për seancën. Ndërkohë kjo gjë nuk është bërë nga i pandehuri tjetër në mungesë Kohila, i cili kishte paraqitur një prokurë për tu përfaqësuar nga një avokat por nuk kishte përcaktuar në të se kishte dijeni për seancën. 

Kjo procedurë u bë shkak për prishjen e procesit gjyqësor. 

Dështimi i seancës së parë - Seanca e parë ndaj Tahirit më 19 qershor në Gjykatën e Krimeve të Rënda dështoi.

Ish ministri ishte i pranishëm në gjykatë i shoqëruar nga dy avokatët e tij. Ndërsa tre të pandehurit e tjerë në mungesë, ish zyrtarët e policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergji Kohila e Sokol Bode kishin autorizuar  mbrojtesit  e tyre ti përfaqësojnë.

Akuzat ndaj Tahirit - Ish-ministri përballet në gjykatë me 3 akuza: “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar  kriminal”.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tahiri ka qenë garant i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. Në të njëjtin proces janë të pandehur edhe tre ish zyrtarët e lartë të Policisë së Vlores, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, ende të pa arrestuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat