Në përgjim për tre muaj, dalin detajet e operacionit në Krujë – si ranë në pranga 11 persona

Shqipëria

Në përgjim për tre muaj, dalin detajet e operacionit në Krujë – si ranë në pranga 11 persona

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 08:36
Ilustrim

Kruja, edhe pse ndodhet vetëm pak kilometra larg Tiranës në vijë ajrore, prej disa vitesh vijon të mbetet një zonë ku kultivohet masivisht kanabisi.

Bimët kultivohen në shumë fshatra, që ndodhen në zonën e cila njihet si Malësia e Krujës.

Gjatë muajve të fundit, Policia ka intensifikuar kontrollet në fshatrat e Krujës, ndërkohë që gjatë dy operacioneve të fundit, të zhvilluara dje, u vunë në pranga 11 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Operacionet “Ndëshkimi 3” dhe “Ndëshkimi 4” pasojnë dy operacionet e mëparshme “Ndëshkimi 1” dhe Ndëshkimi 2″ të zhvilluara pak ditë më parë, si rezultat i të cilëve janë arrestuar në total 30 persona (3 ende në kërkim) të akuzuar për kultivim kanabisi dhe armëmbajtje pa leje.

Policia thotë se arrestimet janë si rezultat i përgjimeve, që kanë zgjatur gati 3 muaj.

Në operacionin e drejtuar nga Prokuroria e Krujës morën pjesë efektivë të Krujës, të Durrësit, por edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, shkruan Panorama.

Gjatë operacionit “Ndëshkimi 3”, u arrestuan 6 persona.

“Në funksion të procedimit penal të vitit 2019, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë ‘Arrest me burg’ për veprën penale ‘Kultivim i bimëve narkotike’, kryer në bashkëpunim, për shtetasit: A. K., 56 vjeç, banues në fshatin Picrrage, Krujë. F. K., 52 vjeç, banues në fshatin Brret, Krujë. G. K., 49 vjeç, banues në fshatin Picrrage, Krujë. J. K., 24 vjeç, banues në Krujë. K. K., 30 vjeç, banues në Krujë. Gjithashtu, u bë ndalimi me iniciativë për veprën penale ‘Kultivim i bimëve narkotike’ i shtetasit A. K., 45 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë”, bëhet e ditur nga Policia.

Ndërsa në operacionin tjetër, “Ndëshkimi 4”, u vunë në pranga pesë persona të tjerë, ndërkaq një tjetër u shpall në kërkim.

“Pas një hetimi tremujor me metoda speciale hetimi, në funksion të procedimit penal të vitit 2019, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë ‘Arrest me burg’ për veprën penale ‘Kultivimi i bimëve narkotike’, kryer ne bashkëpunim, për shtetasit: F. D., 23 vjeç, banues në fshatin Borizanë, Krujë. S. D. 20 vjeç, banues në Borizanë, Krujë. K. T, 22 vjeç, banues në Laç të rrethit Kurbin. Dhe, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. D., 27 vjeç, banues në fshatin Borizanë, Krujë. Në vijim të operacionit ‘Ndëshkimi 4’, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. U., 50 vjeç, dhe S. U., 20 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tyre, u janë gjetur fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis sativa, si dhe një sasi lënde narkotike e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, bëhet e ditur nga Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat