Pas disa orësh tensioni e përplasje, dera e bashkisë së Kavajës hapet forcërisht për kryebashkiakun e PS

Shqipëria

Pas disa orësh tensioni e përplasje, dera e bashkisë së Kavajës hapet forcërisht për kryebashkiakun e PS

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 17:34
Kavajë

Pas një sërë orësh në tension përpara godinës së Bashkisë së Kavajës, kryebashkiaku i zgjedhur më 30 qershor Redjan Krali (PS) ka arritur të hyjë brenda zyrës së mbyllur nga demokratët.

Prej orësh në protestë, mbështetësit e PD-së kanë filluar të shpërndahen dhe pas pak minutash Redjan Krali, i shoqëruar nga anëtarët e këshillit bashkiak dhe dhjetëra mbështetës e policë, ka hyrë në ambientet e bashkisë.

Dera është hapur forcërisht nga punëtorët e policisë bashkiake dhe brenda ka hyrë kryebashkiaku i ri i shoqëruar nga deputetët e PS-së

Tentativa e parë që kryebashkiaku i ri i Kavajës të futej Bashki dështoi.  Në mëngjes u betua si kryebashkiak, ndërsa betimi dhe konstituimi i Këshillit Bashkiak u prit me protesta nga Partia Demokratike.

Isa Sakja, ish-kreu i Bashkisë Kavajë, ka deklaruar se një qytet nuk mund të drejtohet në kohën kur kreu i bashkisë ka marrë vetëm 5% të votave të qytetarëve. Pas betimit, Krali nën shoqërinë edhe të ish-ministrit Ahmetaj dhe ministrit Spiropalit, vendosën të konsumojnë një kafe para se t’i drejtohen bashkisë, siç thanë ata.

Më pas prefektja e Tiranës tentoi të hyjë në bashki, por nuk u lejua nga protestuesit, duke krijuar edhe tension.

“Ne nuk kemi ardhur të vritemi me popullin. Besoj se do ta gjejmë një zgjidhje”, tha drejtuesi i policisë.

“Ne duam të flasim me Isa Sakjan, por e kam telefonuar dhe nuk më është përgjigjur. Ne jemi në rregull me të gjithë dokumentacionin. Nëse nuk futemi sot, do ta bëjmë këtë gjë në vazhdim”, tha prefektja e Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat