SPAK gati në shtator, qeveria i jep 150 mln lekë për 3 muaj

Shqipëria

SPAK gati në shtator, qeveria i jep 150 mln lekë për 3 muaj

Më: 1 gusht 2019 Në ora: 21:01
Foto ilustrim

Janë publikuar vendimet e marra ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Në këto vendime bie në sy përcaktimi i buxhetit fillestar për SPAK për vitin 2019, shumë e cila shkon në 150 milionë lekë.

Sipas VKM-së, kjo shifër e përcaktuar është vënë në dispozicion për të gjitha shpenzimet e mundshme, të cilat do t’i duhen këtij organizmi në kuadër të Reformës në Drejtësi. Kjo strukturë pritet të hetojë korrupsionin në nivele të larta drejtuese, përfshirë edhe rastet e mundshme në fushën e politikës.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të ngrihet në muajin shtator, ndërsa tashmë qeveria ka lëvruar edhe shpenzimet paraprake gjatë muajve të mbetur të 2019.

Vendimi i miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave:

Vendim për përcaktimin e buxhetit fillestar të strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 10, të nenit 57, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019.

Ngarkohen Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat