“Më duket se më kanë bërë pisllëqe”, u kap në përgjimet e grupit të Shijakut, zbutet masa e sigurisë për ish-deputetin e PS

Shqipëria

“Më duket se më kanë bërë pisllëqe”, u kap në përgjimet e grupit të Shijakut, zbutet masa e sigurisë për ish-deputetin e PS

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 08:51
Arben Çuko

Gjykata për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën e ish-drejtorit të Burgjeve, Arben Çuko, për zbutje të masës së sigurisë “Arrest shtëpie”, duke caktuar për të masën e detyrimit për t’u paraqitur. 

Vendimi është dhënë këtë të mërkurë nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, ndërsa më herët gjyqtari i seancës paraprake nuk ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të dërguar dosjen ndaj tij dhe 4 të dyshuarve të tjerë për gjykim.

Prokuroria për Krime të Rënda akuzon Çukon dhe katër persona të tjerë për “Korrupsion pasiv” dhe “Korrupsion aktiv”, por sipas gjyqtarit paraprak, që në datën 16 korrik ktheu dosjen Prokurorisë, duhen hetime shtesë në drejtim të provave të konsideruara si të mangëta.

PROKURORIA

Rreth një muaj më parë, Prokuroria për Krime të Rënda njoftoi zyrtarisht për mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes. Në njoftim Prokuroria shkruante se veprimtaria e kundërligjshme e personave nën hetim ishte e dokumentuar.

“Nga hetimet proaktive të kryera me metoda speciale të hetimit, si përgjimet telefonike, ambientale dhe vëzhgime, ka rezultuar se një grup personash, banorë të qyteteve të ndryshme të vendit, vepronin në formën e veçantë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria në drejtim të shteteve të Bashkimit Europian.

Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtjeje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier”, shkruante Prokuroria.

NËN HETIM

Në kërkesën e saj, Prokuroria sqaronte se kërkon të marrë të pandehur Arben Çukon (ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”; Qerim Mushën, akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim; Olsi Karagjozi, person që po vuan një dënim të mëparshëm, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim; Artur Balla, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim dhe Denis Llaftiun, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim.

HETIMET PËR DROGËN

Kujtojmë se ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko, u arrestua pasi doli në përgjime nga një hetim tjetër i regjistruar për një grup që trafikonte dhe shpërndante lëndë narkotike. Kështu, Prokuroria për Krime të Rënda, mbi bazën e akteve të referuara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë, në datën 28.12.2016 regjistroi procedimin penal me nr.339 të vitit 2016, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

PËRGJIMET E PROKURORISË PËR ARBEN ÇUKON

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, njëkohësisht edhe ish-deputet i Partisë Socialiste, u arrestua në 21 tetor nga Policia e Tiranës, pasi dyshohej se ishte i përfshirë në afera korruptive gjatë kohës që ishte në detyrë. Emri i tij ka dalë në përgjimet e Prokurorisë për grupin e drogës në Shijak dhe më pas është vënë gjithashtu në përgjim edhe ish-drejtori i Burgjeve, Çuko. “Panorama” siguron një pjesë të përgjimeve në dosjen me 108 faqe që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda për Çukon.

Sipas përgjimeve, ai komunikon me drejtorin aktual të Burgut të Burrelit, Fatjon Kurtin, i cili i kërkon që të kryejë transferimin e një personi të dënuar si vrasës me pagesë. Bëhet fjalë për shtetasin Olsi Karagjozi, i njohur ndryshe me nofkën “Olsi i Qamiles”. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsi Karagjozi ka dashur të transferohet në një burg tjetër dhe ka kontaktuar të arrestuarin Artur Balla. Pasi është rënë dakord për çmimin e transferimit, Balla i ka dhënë një shumë prej 3 mijë eurosh shtetasit Denis Llaftiu dhe ky i fundit ia ka dorëzuar atë Qerim Mashës, i cili është edhe shoferi i Arben Çukos, që ka luajtur rolin e ndërmjetësit.

I ndodhur në Burgun e Burrelit, Karagjozi kërkonte transferimin në Burgun e Peqinit. Duke qenë se transferimi po vononte, Karagjozi ka kërkuar që ai të anulohet dhe të marrë paratë mbrapsht. Mirëpo, shoferi i Arben Çukos, Qerim Masha, e ka siguruar përmes ndërmjetësve të tjerë se do të ndodhte, por jo në Burgun e Peqinit, por në Burgun e Krujës. Më pas, ka qenë drejtori i Burgut të Burrelit, Fatjon Kurti, i cili ka telefonuar Arben Çukon, duke e pyetur për transferimin e mundshëm të Karagjozit. Madje, në përgjime shprehet edhe frika nëse dy bashkëbiseduesit mund të ishin në përgjim dhe shoferi i Çukos ndryshoi numrin për këtë arsye.

PERGJIMI

Fatjon Kurti: Alo, drejtor përshëndetje, Fatjoni jam.
Arben Çuko: Kush Fatjon o burrë?
Fatjon Kurti: Fatjoni jam, drejtori i Burrelit.
Arben Çuko: Hë Fatjon, më thuaj.
Fatjon Kurti: Nuk kemi ndonjë problem, situata e përgjithshme është e qetë, a mundet të vij nesër të bisedoj për nja dy çështje të vogla?
Arben Çuko: Nuk e di, a mi thua dot në telefon…?
Fatjon Kurti: T’i them edhe në telefon, por doja të vija të takoja e të të uroja. Mirë drejtor, doja të flisja edhe për këtë, për një transferim të një të paraburgosuri që të kishim
biseduar.
Arben Çuko: Ça është?
Fajton Kurti: Është ky Karagjozi…për arsye sigurie më shumë…
Arben Çuko: Po Olsi Karagjozi.
Fatjon Kurti: Më kanë dërguar…
Arben Çuko: Prit ta vendos unë se kam digju llafe të tjera për këtë lloj. Ata që më kanë ndërhyrë mua më duket se më kanë bërë pisllëqe.
Fajton Kurti: Mirë.
Arben Çuko: Prit ta vërtetoj unë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat