PD: Ligji i ri për kasat fiskale, zhvatje për të mbushur xhepat e familjes dhe miqve të Ramës

Shqipëria

PD: Ligji i ri për kasat fiskale, zhvatje për të mbushur xhepat e familjes dhe miqve të Ramës

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 15:09
Endri Hasa

Ish-deputeti i PD-së Endri Hasa  në një deklaratë nga selia blu denoncoi, atë që e quajti ligj për zhvatjen e bizneseve. Sipas tij, qeveria po përgatit një ligj të ri, i cili nxjerr jashtë përdorimit kasat fiskale të bizneseve dhe i zëvendëson ato me një sistem të ri për faturat.

Ky sistem, sipas Hasës do iu kushtojë më shumë xhepave të bizneseve, ndërkohë që do të mbushen xhepat e qeveritarëve dhe miqve të tyre.

“Qeveria ka paraqitur ligjin e zhvatjes së re të biznesit, nëpërmjet nxjerrjes jashtë përdorimit të kasave fiskale dhe futjes në përdorim të një sistemi të ri, që kushton para për çdo biznes që punon në Shqipëri. Me ligjin e ri të qeverisë, të gjitha pajisjet fiskale në përdorim të biznesit, përfshirë rreth 140 mijë kasa fiskale, do të dalin jashtë përdorimit.

Në vend të tyre, qeveria po krijon me ligj një sistem të ri për faturat, duke detyruar çdo biznes të deklarojë çdo veprim në kohë reale.Ky ligj rrit kostot pë biznesin, cënon konkurencën e lirë, vret vendet e punës dhe çon drejt falimentimit mijëra biznese”, shprehet Hasa.

Më tej ai shton se, sistemi i ri detyron mbi 150 mijë biznese të shtojnë kostot duke blerë pajisje dhe programe të reja kompjuterike, si printer, kompjuter, telefonë të teknologjisë së lartë, që t’i përshtaten këtij sistemi.

“Në kostot e biznesit shtohet me ligj edhe lidhja e detyrueshme e internetit, e cila duhet të jetë në funksion gjatë gjithë kohës për të kryer veprimet. Kostoja tjetër që do t’i shtohet çdo biznesi që punon në Shqipëri është pagesa për t’u pajisur me firmë elektronike. Ky është një detyrim thelbësor për funksionimin e sistemit të ri, për të cilin qeveria ka hartuar ligjin e ri. Firma elektronike kushton nga 50 deri në 110 Euro për çdo biznes. Në kostot e biznesit, duhet të përfshihet edhe nxjerrja jashtë përdorimit e kasave fiskale”, deklaroi ai..

Sipas tij, “Ka vetëm një rrugë që ky ligj të mos miratohet! Duhet të largojmë qeverinë që e ka propozuar atë kundër interesit të mbi 150 mijë bizneseve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat