Procedohen drejtorët e Taksave në Durrës dhe Lezhë, lejuan zaptimin e plazheve

Shqipëria

Procedohen drejtorët e Taksave në Durrës dhe Lezhë, lejuan zaptimin e plazheve

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 13:56
Ilustrim

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Durrës në bashkëpunimin me Task-Forcën dhe Policinë Bashkiake, në vijim të punës të goditur informalitetin, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: F.Q., A.K. dhe G.D., të gjithë banues në Durrës, pasi nga kontrolli i ushtruar në lagjen nr. 13, Durrës, në plazhin publik, u konstatua se këta shtetas kryenin aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme, si dhe të papajisur me kasë fiskale.

Po në vijim të operacionit u proceduan penalisht edhe shtetasit: Sh.T., P.Gj., banues në Tiranë dhe D.I., banues në Shijak, pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se këta shtetas kishin zënë me çadra plazhi e shezlongë hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse.

Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin Luan Dajko, banues në Durrës, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë, Durrës, pasi nuk ka ushtruar kontroll ndaj aktivitetit të shtetasve të lartpërmendur.

Operacioni ka vijuar në Shëngjin, Lezhë  në vijën bregdetare Tale.

Gjatë operacionit u proceduan penalisht dy shtetas P. GJ. dhe D.D., të cilët kishin zaptuar hapësirën publike para lokaleve të tyre, në mënyrë të kundërligjshme duke vendosur shezlongë dhe çadra pa kontratë përdorimi.

Po gjatë operacionit u procedua penalisht shtetasi A.N., me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë, pasi nuk kishte kryer kontroll, duke shpërdoruar detyrën.

Materialet në ngarkim të shtetasve të proceduar i kaluan Prokurorive respektive për  veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe “Shpërdorimi  detyrës.

Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat