Basha: Rama gjobit bizneset dhe pasurohet vetë, 6 vjet më parë kishte 200 mln euro

Shqipëria

Basha: Rama gjobit bizneset dhe pasurohet vetë, 6 vjet më parë kishte 200 mln euro

Më: 4 gusht 2019 Në ora: 16:59
Lulzim Basha

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka komentuar nga Belshi aksionin anti-informalitet të ndërmarrë nga Tatimet. Ai akuzoi qeverinë  për dhunë  gjobash ndaj biznesve të vogla, me të cilat mbijetojnë shumica e familjeve shqiptare.

Gjatë takimit me strukturat e PD në Belsh, Basha tha se dhuna e tatimorëve ndaj biznesit të vogël bëhet për të financuar grykësinë dhe luksin e Edi Ramës me disa klientë të tij milionerë.

Basha: “Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa, tarifa dhe gjoba sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.”

Kreu i opozitës tha se keqtrajtimi i biznesit të vogël ishte një nga arsyet pse njerëzit e braktisën Ramën më 30 qershor, duke e kuptuar se ato votime nuk ishin në interes të qytetarëve, por për të thelluar hajdutërinë, grabitjen dhe babëzinë e Edi Ramës, që janë sot aktiviteti i vetëm politik dhe ekonomik i tij.

Basha: “Vetëm këtë javë, nga tenderi korruptiv për uniformat e policisë, 15 milionë euro zhduken në xhepat e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nga tenderi korruptiv monopolist për sistemin e ri të faturimit të biznesit, që nxjerr jashtë përdorimit kasat fiskale, i shtojnë me ligj një taksë të re deri në 100 euro biznesit. Këtë po e bën një kompani fantazëm, gjoja kroate, por, në fakt është kompania e keshilltarit kroat te Edi Rames dhe paratë do të ndahën me familjarët e kryeministrit.”

Duke iu referuar edhe ligjeve dhe vendimeve speciale për grabitjen e Teatrit dhe të Kopshtit Botanik për të ndërtuar kulla, Basha u shpreh se politika e vetme e Ramës në krye të qeverisë është grabitja për pasurimin e pandalshëm.

Basha: “Nëqoftëse para 6 vjetësh raporti i OSBE thoshte që ka 200 milionë euro pasuri, akoma pa u ulur në karrigen e kryeministrit, imagjinoni tani! Tani është vërsulur me shpejtësi që t’i bëjë të gjitha këto grabitje të mëdha menjëherë, pasi e ndjen që po afron ora e fundit.”

Kreu i demokratëve përmendi gjetjet e KLSH-së, sipas të cilit qeveria Rama, vetëm vitin e kaluar ka shpërdoruar, abuzuar dhe grabitur 1. 4 mld euro, para të mbledhura nga taksat e qytetarëve.

Basha: “Grabitja, vjedhja dhe hajdutëria e Edi Ramës është arsyeja pse Shqipëria është sot papunë, është arsyeja se përse gjendja ekonomike është sot më e keqja në dy dekada.”

Lulzim Basha shprehu vendosmërinë për t’iu përgjigjur thirrjes për ndryshim që 85 % e shqiptarëve bënë më 30 Qershor.

Basha: “Ka vetëm një forcë që ka fuqinë politike, përvojën qeverisëse, vizionin, vendosmërinë e, mbi të gjitha, kredon morale për ta sjellë këtë ndryshim përmes zgjedhjeve të lora e të ndershme - tha kreu i opozitës.- Ajo forcë është Partia Demokratike e Shqipërisë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat