Duka: 13 tetori nuk realizohet! Në shtator me ardhjen e Komisionit të Venecias mund të ketë lëvizje

Shqipëria

Duka: 13 tetori nuk realizohet! Në shtator me ardhjen e Komisionit të Venecias mund të ketë lëvizje

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 08:36
Agron Duka

“13 tetori nuk realizohet”! Kështu u shpreh aleati i Bashës dhe kreu i PAA, Agron Duka, i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora. 

Duka tha se zgjedhjet ne 13 tetor, të dekretuara nga Presidenti Ilir Meta nuk do të mbahen, pasi KQZ refuzoi dekretin e Presidentit. Ai u shpreh se 3 partitë opozitare u regjistruan formalisht në KQZ, me shpresën për një reagim pozitiv nga mazhoranca.

Agron Duka: Nuk mbahen zgjedhjet në 13 tetor, sepse në fakt u mbyllën të gjitha afatet. KQZ nuk u mblodh, pra 13 tetori nuk realizohet, dekreti i Presidentit u hodh poshtë. Faktikisht ka një dualizëm pushtetesh në realitetin shqiptar. Është ai i mazhorancës që sipas nesh ka kapur të gjitha institucionet dhe nga ana tjetër dekreti i Presidenti që njihet nga opozita. Pra nuk ka tre pole, por dy, mazhoranca dhe opozita që janë të qëndrueshëm dhe nuk lëshojnë asnjë hap nga qëndrimet e veta.

Duka i ka dhënë fund dyshimeve për një përçarje brenda opozitës. 

Agron Duka: Nuk ka asnjë përçarje, përkundrazi opozita në unison e gjitha njeh dekretin e presidentit dhe nuk njeh zgjedhjet e 30 qershorit. Edhe PD ka dalë me një deklaratë ku i drejtohet KQZ që të ndërmarrë veprimet e duhura që të njohë dekretin e Presidentit dhe të bëjë detyrën e saj. Kështu që në këtë kontekst e gjithë opozita është në një mendje, nuk ka asnjë përçarje. E gjithë pikëpyetje është pse tre parti shkojnë të regjistrohen, ndërsa PD dhe të tjerat jo. Kjo nuk do të thotë asgjë, sepse në një farë mënyrë ishim të paragjykuar duke parë lëvizjet e mazhorancës. Pra në një farë mënyrë ne e kishim paragjykim që nuk do shohim dritë jeshile në fund të tunelit dhe nuk do ketë zgjedhje. Megjithatë formalisht u regjistruam tre parti për të dhënë shansin e fundit për një farë reagimi të mazhorancës. Edhe duke pasur parasysh që në datën 18 tetor ne presim një vendim të BE, por fatkeqësisht nuk pati një reagim pozitiv. Ajo që është e rëndësishme është që të gjithë ne si opozitë jemi në një mendje dhe nuk ka asnjë përçarje. Ka disa interpretime për të plotësuar edhe këtë vakum lajmesh.

Aleati i Bashës tha se opozita është e vendosur që të mos shkojë në zgjedhje me Ramën kryeministër.

Agron Duka: Rama ka dhënë prova që nuk zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këto i kemi denoncuar vazhdimisht, kohët e fundit janë vërtetuar si në përgjimet e Bild edhe me aktin e fundit të DASh për të mos lejuar ish-kryebashkiakun e Durrësit për të shkuar në Amerikë. Në këto kushte nuk ka sesi ne të jemi të gatshëm të hyjmë me Ramën kryeministër në zgjedhje. Unë besoj se me Ramën si kryetar i PS për të zhvilluar negociata ulet opozita. Por për të shkuar në zgjedhje jo me Ramën kryeministër.

Duka komentoi lajmin se në shtator Komisioni i Venecias pritet të vizitojë kryeqytetin për të përgatitur një opinion në lidhje me kërkesën e Kuvendit, për shkarkimin e presidentit Meta.

Duka u shpreh se në shtator mund të ketë lëvizje edhe më të mëdha të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës.

Agron Duka: Edhe unë mendoj që në shtator mund të ketë edhe një farë lëvizje akoma edhe më të madhe. Kjo lloj krize politike që derivon krizë ekonomike, edhe sigurie, nuk i bën mirë kërkujt. Unë pres që në shtator do mund të ketë edhe lëvizje të ndërkombëtarëve për të negociuar në mënyrë që te ketë edhe një zgjidhje të krizës. Megjithatë ngul këmbë që nuk mund të zgjidhet kriza kokë më kokë siç u bë në 2017. 

Gazetari: Ishit i pranishëm në takimin që u iniciua nga aleatët. Si përfunduan të dy Rama dhe Basha? Në një farë mënyre e keni pranuar atë. 

Agron Duka: Nuk menduam që do ishte kjo lloj marrëveshje që rezultoi negative edhe për partitë e vogla nuk pati kohë as për tu regjistruar. Edhe për partitë e vogla u detyruam të futemi tek stema e PD-së në një kohë që ne kemi një kauzë tonën. Nuk rezultoi që ato zgjedhje të bëheshin të lira dhe të ndershme. Shpresoj që të mos ketë një takim dhe një marrëveshje pozitë-opozitë ku të zgjidhi problemet reale që ka Shqipëria, ku të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo arrihet nëpërmjet një qeverie tranzitore. Ne, ai grupi i qendrës së djathtë e kemi thënë edhe në platformë që kjo mund të bëhet edhe me ndryshime kushtetuese, që të largohemi nga kjo përzierje dhe nga kjo simbiozë që ka politika në përgjithësi, por në veçanti mazhoranca me kryeministrin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat