Robert Hand: Disa prirje të qeverisë Rama janë shqetësuese

Shqipëria

Robert Hand: Disa prirje të qeverisë Rama janë shqetësuese

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 00:21
Robert Hand

'Pas 6 vitesh në pushtet, disa prirje të qeverisë Rama janë shqetësuese'. Kështu u shpreh Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand në një intervistë për zërin e Amerikës.

Hand përmendi i shqetësim korrupsionin, sipas të cilit është i kudondodhur në Shqipëri, por edhe cënimin e lirisë së medias.

Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama. Ai ka qënë në pushtet prej 6 vjetësh tashmë. Ka vëzhgues që thonë se Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket demokracisë. Cili është mendimi juaj?

Robert Hand: Kryeminsitri Rama ka qënë në pushtet që nga 2013. Socialistët fituan të vetëm në zgjedhjet e fundit pa patur nevojë për koalicion. Duke parë Shqipërinë, por edhe vende të tjera, në dy-tri vitet e para të pushtetit arrihet përparim.

Në mandatin e dytë, kur vjen tek viti i gjashtë, fillojnë dalin zhvillime, që janë problematike, pra kjo është një prirje që vihet re gjithandej dhe nuk dua të fajësoj për këtë vetëm kryeministrin.

Megjithatë disa prirje të kësaj qeverie janë shqetësuese. Është shqetësuese nisma lidhur me median në internet dhe masat që mund të merren kundër portaleve të lajmeve, pasi mund të jenë vendime arbitrare nga një ent administrativ.

Jo vetëm OSBE-ja, por shumë organizata të tjera që merren me lirinë e shtypit, brenda ose jashtë Shqipërisë, apo shoqëria civile, kanë shprehur shqetësim për të. Po ashtu është shqetësues problemi i korrupsionit që është i kudo-ndodhur në Shqipëri. Në pikëpamjen time vendi ka përparuar këto 6 vjet. 

Mendoj se reforma në drejtësi mund ta çojë vendin më përpara. Shqipëria duhet të shpërblehet për këtë, por kjo nuk i bën të padukshme problemet e tjera. Por largimi i opozitës nga parlamenti, siç ndodhi në shkurt, krijoi një problem të ri, duke e zhvendosur vëmendjen tek veprimi i saj, në se ishte kundër-produktiv apo jo dhe u lanë në harresë problemet e vërteta për ta mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj, gjë që është pikërisht misioni i opozitës.

Bojkoti i opozitës, Hand: Veprim shumë kundërproduktiv

Robert Hand: Unë e shikoj këtë nga këndvështrimi se punoj për 18 anëtarë të Kongresit. Përgjithësisht, anëtarët e Kongresit këtu nuk besojnë se bojkotimi i parlamentit është një ide e mirë. Dhe ky nuk është thjesht një bojkot i përkohshëm, por lëshimi i mandateve pa asnjë mjet për rikthim. Kështu që, unë mendoj se ishte një veprim shumë kundërproduktiv, po të kesh parasysh edhe kohën kur u bë. Kjo mund të jetë kundërproduktive për opozitën edhe për sa i përket mbështetjes që ajo merr. 

Përpiqem të kërkoj shpresë kudo që mundem, dhe më dha zemër fakti që brenda partive opozitare pati disa mospajtime për këtë. Tre deputetë të parlamentit qëndruan në Parlament, nuk i braktisën mandatet e tyre dhe të tjerë nga listat e partive, hynë në parlament dhe plotësuan shumicën e vendeve të mbetura bosh. Nëse ata mbeten pjesë e Partisë Demokratike ose e LSI-së dhe kthehen përsëri aty, mbase mund të përpiqen t’i reformojnë këto parti. 

Një pjesë e problemit me Shqipërinë, mendoj se është fakti që nuk ka demokraci të mjaftueshme brenda partive. Ne nuk mund t'i detyrojmë partitë të jenë më demokratike. Kjo varet prej tyre, por sigurisht që do ta ndihmonte vendin në aspektin e udhëheqjes së përgjegjshme. 

Disa nga këta njerëz dhe me duket se disa tashmë e kanë bërë një gjë të tillë, kanë vendosur të fillojnë vetë lëvizje të reja apo parti të reja. Mendoj se Shqipëria, në planin afatgjatë do të përfitonte me siguri nga kjo. Populli i Shqipërisë do të përfitonte nëse gjatë zgjedhjeve në të ardhmen do të kishin më shumë alternativa në kutinë e votimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat