Me dy vagonë, xhama të thyer dhe 40 km/ orë, kështu udhëtohet me tren në Shqipëri

Shqipëria

Me dy vagonë, xhama të thyer dhe 40 km/ orë, kështu udhëtohet me tren në Shqipëri

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 17:11
200 persona në ditë lëvizin nga Tirana në Durrës

Pasi ke lënë mbrapa Tiranën, e vetmja shenjë për të kuptuar se po afrohesh në stacionin e trenit në Kashar është kjo tabelë.

Edhe pse largësia me qendrën e Tiranës e ka ulur numrin e udhëtarëve, rreth 200 qytetarë zgjedhin çdo ditë trenin për të lëvizur drejt qytetit bregdetar të Durrësit.

“Sa e zakontë dukej dikur një bilete treni, aq e pazakontë dhe nostalgjike është sot të udhëtosh me tren në Shqipëri. Shumë gjëra kanë ndryshuar por përpikëria jo, në 8.30 udhëtarët presin të nisen nga Kashari drejt Durrësit”.

Shumë larg gjendjes së dikurshme, megjithatë ka disa arsye që disa qytetarë vijojnë të zgjedhin udhëtimin me tren nga Tirana në Durrës.

“Po xhamat e thyer dhe mungesa e kushteve i shkëput shpejt nga kujtimet”.

Mes udhëtarëve është edhe familja Bllahuren nga Republika Çeke. Nuk e fshehin që ju duket më shumë aventurë ky udhëtim sesa një mjet i përshtatshëm transporti.

Sanijen, kryetaren e trenit, dashuria për hekurudhën e mban të lidhur prej 36 vitesh. Thotë se janë pothuajse të njëjtët njerëz që zgjedhin këtë transport.

Namiku, është mashinisti që përgjatë 60 minutave kujdeset që makineria gjigande te ndjekë me përpikëri rrugën e hekurt. Në 35 vite punë thotë se ka parë rrënimin e hekurudhës.

730 kilometra rrugë e hekurt lidhnin thuajse çdo cep të Shqipërisë deri në vitet 1990. Sot, me gjithë premtimet për t’i kthyer dinjitetin hekurudhës, duket qartë se në çdo ditë që kalon, treni po i afrohet stacionit të fundit për të mbetur veçse një relike e së kaluarës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat