Shuhet figura e njohur e PD, Basha: Një nga kontribuesit e mëdhenj të demokracisë

Shqipëria

Shuhet figura e njohur e PD, Basha: Një nga kontribuesit e mëdhenj të demokracisë

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 00:53
Sherif Kaloshi

Kryedemokrati Lulzim Basha, ka dhënë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të një figure të njohur të Partisë Demokratike dhe ish të përndjekurit politik, Sherif Kaloshi.

Basha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale përcjell mesazhin e ngushëllimit për këtë humbje, ndërsa thekson se Kaloshi ishte njëri nga kontributorët më të mëdhenj në përpjekjen e qeverisë së parë demokratike për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë.

Ndër të tjera, kreu i PD risjell në kujtesë të gjitha vuajtjet e të ndjerit Sherif Kaloshi dhe familjes së tij, teksa shkruan se ishte ndër fiset më të persekutuara nga regjimi komunist.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës

Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të Sherif Kaloshit, njërit nga kontributorët më të mëdhenj në përpjekjen vigane të qeverisë së parë demokratike të Shqipërisë për rehabilitimin, integrimin e më vonë edhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Sherif Kaloshi e kaloi rininë dhe një pjesë të madhe të jetës së tij në internim, në kampet e përqendrimit të diktaturës, nga Tepelena e deri në Lushnje, ashtu si i gjithë fisi i Kaloshëve, i cili mund të renditet ndër fiset më të persekutuara nga regjimi komunist. Vetë Sherifi mban një rekord të rëndë persekutimi, pasi ai e përjetoi internimin që kur ishte fëmijë në vitin 1945 dhe rënia e komunizmit në vitin 1990 e gjeti sërish në internim.

1990-a e gjeti pinjollin e familjes së madhe patriotike të Kaloshëve të Dibrës, në Gradishtë të Lushnjes dhe ai u angazhua aty ku e kishte vendin një bir i Kaloshëve, në themelimin e degës së Partisë Demokratike të Lushnjes.

Me fitoren e qeverisë së parë demokratike, Sherif Kaloshi dha një kontribut të çmuar për integrimin e të përndjekurve politikë në shoqëri. Nga 1994-a deri në 1997-n ai drejtoi Komitetin e të Përndjekurve Politikë, një strukturë shtetërore që ngriti gjithë korpusin ligjor që shërbeu më pas për vënien në zbatim të Statusit të ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë nga Sistemi Komunist, si dhe për dhënien e Kompensimit Pasuror. Nën drejtimin e Kaloshit, Komiteti kreu një punë mjaft voluminoze, në grumbullimin e dokumentacioneve të kësaj shtrese, si dhe përfundoi shpërndarjen e plotë të statuseve, por ky kontribut u ndërpre në mënyrë kriminale nga një qeveri që erdhi në pushtet me armë dhe me filozofinë e restaurimit të luftës së klasave.

Familjes Kaloshi iu desh t’i paguante këtij vendi një tribut edhe në demokraci dhe nipi i Sherifit, Bujar Kaloshi, një zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, u vra në 1996-n nga bandat që më vonë drejtuan rebelimin e armatosur të 1997-s.

Largimi i Sherif Kaloshit na lë dhimbjen, por edhe detyrimin se angazhimi i Sherifit dhe i gjithë fisit Kaloshi që shqiptarët më në fund të jenë zot të fateve të veta, që të jenë të lirë të zgjedhin, të zgjidhen, të qeverisin e të largojnë ata që qeverisin keq, nuk do të lihet në mes. Simbole të qëndresës si Sherif Kaloshi janë një trashëgimi që na jep forcë, janë pjesë e historisë së lavdishme të Partisë Demokratike, por ato janë edhe garanci se ne do ta fitojmë betejën, për të drejtën pa kompromis me të keqen. U prehtë në paqe!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat