Lirohet nga zaptuesit 3600 m2 plazh në jug të Shqipërisë, procedohen zyrtarë e biznesmenë

Shqipëria

Lirohet nga zaptuesit 3600 m2 plazh në jug të Shqipërisë, procedohen zyrtarë e biznesmenë

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 10:36
Pamje nga video

Ashtu si të gjithë javën që po lëmë pas, policia ka vijuar me kontrollet gjatë vijës bregdetare dhe këtë të premte ka njoftuar se ka liruar rreth 3600 metër katror plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme nga bizneset.

Policia e ka kryer aksionin kësaj rradhe në plazhet e Vlorës, Himarës e Qeparoit. Gjithashtu janë proceduar penalisht 5 administratorë biznesesh si dhe 4 zyrtarë bashkiakë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Lirohen rreth 3600 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.

Porcedohen penalisht 5 administratorë subjektesh si dhe 4 zyrtarë bashkiakë.

Policia e Shtetit vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave ” Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”.

Policia e Vlorës liron një hapësirë zonë të mbrojtur në Plazhin e Gjipesë – Himarë, e cila shkon deri në 3000 m2, si dhe rreth 600 metra në Potam e Qeparo. Në total lirohen 3600 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrohen rreth 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike.

Procedohen 4 administratorë subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” “Moslëshimi i kuponit tatimor” dhe “Pushtimi i tokës”.

Procedohet penalisht edhe një zyrtar në Bashkinë e Himarës.

Komisariati i Policisë Himarë në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe forcat e FNSH Fier, kanë ushtruar kontrolle në subjektet që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit përgjatë plazhit të Himarës (Gjipe, Potam dhe Qeparo). Nga ky kontroll rezultoi se 4 subjekte tregtare ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e “Stacionit të plazhit” pa paguar detyrimet financiare dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Himarë. Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit Ll. Sh., M.Dh., F.B. dhe A.Z., me detyrë administratorë të këtyre subjekteve.

Po gjatë operacionit, Policia procedoi penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasin L.M (Drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave pranë Bashkisë Himarë) pasi dyshohet se ka lejuar dy nga këto subjekte tregtare të ushtrojë aktivitetin në plazh pa u pajisur me kontratë qiraje në Bashki dhe pa kupon tatimorë, duke mos vepruar në funksion me detyrën e tij.

-Operacioni ka vijuar edhe në Pogradec ku janë proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre” tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec, konkretisht shtetasit: G.L, A.P, dhe E.B, banues në Pogradec, (të tre me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë e Tatim Taksave në Pogradec), pasi nuk kanë ushtruar kontrollin e nevojshëm në disa subjekte private të cilat kishin lëshuar me qira më shumë shezlongë, sesa iu kishte miratuar me leje Bashkia Pogradec, duke zënë hapësira publike në zonën e plazhit.

-Në vijim të operacionit, në Durrës tek shkëmbi i Kavajës, gjatë kontrollit në një plazh privat u konstatuan rreth 160 shezlongë në administrim nga shtetasja D.D., e cila nuk lëshonte kupton tatimor. U procedua penalisht shtetasja D.D për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Operacioni po vijon çdo ditë me shtrirje në gjithë zonat bregdetare në territorin e Republikës së Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat