Ramës i “djeg” reportazhi i RAI-t për drogën: S’ka lidhje me gazetarinë

Shqipëria

Ramës i “djeg” reportazhi i RAI-t për drogën: S’ka lidhje me gazetarinë

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Pas publikimit të dokumentarit “Narcotica”, në RAI 3 reagoi sot edhe kryeministri Edi Rama, qeveria e të cilit akuzohet se mbushi 1 të tretën e vendit me kanabis.

Rama ka ‘sulmuar’ RAi 3 duke shkruar se ajo që serviret sot nuk ka aspak lidhje me gazetarinë.

“S’kemi ç’bëjmë! E kotë të harxhosh kohë me shumëçka sot serviret ende si gazetari, po me gazetarinë s’ka pikë lidhje. Çka vërtetë vlen çdo minutë janë reformat, punët, veprat.

Ato do të flasin, kur llafet t’i ketë marrë era dhe baltën ta ketë fshirë uji i kohës”, shkruan Rama.

Më herët ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shkruante se e vërteta ishte krejt ndryshe nga ç’ka paraqet mishmashi televiziv i përgatitur nga njerëz që janë larg së qeni në nivelin e respektit tonë për kanalin publik italian.

Por çfarë thuhej në reportazhin italian për drogën në Shqipëri

”Lazarati është një fshat i vogël në zemër të Shqipërisë, i konsideruar për një kohë të gjatë si qendra e kultivimit të marijuanës, teatër i operacioneve të ndryshme të policisë dhe të përplasjeve me armë”, thuhet në reportazh. Programi rinis nga Lazarati për të treguar Shqipërinë, si një nga vendet kryesore për prodhimin e marijuanës, por mbi të gjitha ”tokë e një nga mafieve më të egra dhe më të rrezikshme të botës që lufton me Ndraghetan për kontrollin e rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut dhe kontrollon opiumin dhe heroinën që nga Afganistani kalojnë nëpër Ballkan”.

Prokurori Gratteri dhe Koloneli D’Angelantonio i skuadrës Ros të Karabinierëve, tregojnë për hetimet, klanet shqiptare dhe për bashkëpunimin me Prokurorin Francesco Mandoi, i cili jeton në Tiranë për të koordinuar hetimet. Dy prokurorët janë të mendimit se grupet kriminale shqiptare janë forcuar tej mase, për shkak edhe të mbështetjes që kanë nga strukturat shtetërore.

“Vetëm në një goditje kemi kapur 9 tone kanabis në Otranto”, tregon Gratteri, duke theksuar se grupet kriminale shqiptare janë forcuar shumë. Sipas tij, shqiptarët sjellin bashkë me kanabisin edhe kokainën në Itali. “Drogën e fortë shqiptarët shkojnë dhe e marrin vetë në Amerikën Latine”.

Prokurori italian që ndodhet në Shqipëri, Francesco Mandoi, ka treguar për ”Narcotica”, se si një hetim i nisur nga drejtësia italiane ka bërë të mundur bllokimin e një sasi prej 14 mijë kilogramë kokainë, pasi ishte bërë gati për tu dërguar në Venezuelë dhe do të sillej në bazën e Porto Palermos në Shqipëri me nëndetëse. ”Me hetimin tonë ne bëmë të mundur që të shkatërronim një organizatë që kishte bërë një plan të detajuar që të vinte në funksion bazën e nëndetëseve në Porto Palermo për të sjellë kokainën në Shqipëri me nëndetëse, duke e marrë në Amerikën Latine”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat