Meta: Bajrami na fton të mendojmë për interesin kombëtar

Shqipëria

Meta: Bajrami na fton të mendojmë për interesin kombëtar

Më: 11 gusht 2019 Në ora: 08:48
Ilir Meta

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, uroi të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit duke thënë se kjo festë vërteton harmoninë e bashkëjetesën fetare mes shqiptarëve, duke uruar për më shumë tolerancë.

“Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit! Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Evropa”, tha ai.

Meta shtoi se kjo festë na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t'u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje.

“Të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t'ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat