Qeveria sulmon gjykatat: “Po pengojnë luftën ndaj informalitetit, zhbllokojnë bizneset në shkelje”

Shqipëria

Qeveria sulmon gjykatat: “Po pengojnë luftën ndaj informalitetit, zhbllokojnë bizneset në shkelje”

Më: 14 gusht 2019 Në ora: 16:13
Anila Denaj

Ministrja e Financave, Anila Denaj sulmoi gjykatat se po pengojnë luftën kundër informalitetit duke zhbllokuar bizneset e kapura në shkelje të përsëritur të ligjeve tatimore.

“Ne shpresojmë se një ditë të gjitha këto vendime dhe të gjithë këta gjykatës do të kontrollohen. E dini ça ndodh, bizneset që zhbllokohen nga gjykata prapë vazhdojnë të shkelin ligjin, por ne do jemi aty”, tha ministrja.

Zonja Denaj u bëri thirrje gjykatësve që t’i përmbahen ligjit dhe u zotua se Qeveria nuk do të tërhiqet nga ndëshkimi i bizneseve që shkelin ligjin.

“Gjykatësit i ftoj të lexojnë ligjin dhe të lexojnë argumentat që jep administrata tatimore për bizneset e bllokuara. Nëse administrata e ka gabim, sigurisht le t’i lirojnë, por nëse bllokimet janë me fakte atëherë u them këtyre gjykatësve të mendohen mirë para se të japin vendime”, u shpreh Denaj.

Ministrja e Financave u ka bërë thirrje bizneseve që të zbatojnë ligjin, pasi sipas saj qëllimi i qeverisë nuk është ndëshkimi i tyre, por vendosja e rregullave të barabarta në treg. Për këtë arsye tatimet do të vazhdojnë kontrollet në të gjithë vendin.

“Të gjithë do të kontrollohen. Ne do të vazhdojmë me planin tonë operacional”, tha Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e Tatimeve.

Ndërkohë shumë shpejt Qeveria pritet të miratojë një paketë të re ligjore, e cila përshkallëzon gjobat dhe ndëshkimet e tjera administrative ndaj bizneseve të cilat kryejnë evazion apo aktivitet informal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat