Ligji i ri, ku do të shkojnë pasuritë e sekuestruara nga shteti

Shqipëria

Ligji i ri, ku do të shkojnë pasuritë e sekuestruara nga shteti

Më: 14 gusht 2019 Në ora: 17:36
Ilustrim

Pasuritë e luajtshme, ku përfshihen automjetet, pajisje elektronike etj, të cilat amortizohen me kalimin e kohës apo u bie vlera shpejt, do të shiten që në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin e formës së prerë të konfiskimit nga gjykata.

Kjo është kompetenca më e re që i është shtuar prej qershorit Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Të ardhurat që do të krijohen do të ngrihen në një llogari të veçantë bankare. Në rast se prona e luajtshme do  t’i kthehet pronarit të ligjshëm, ai do të përfitojë vlerën e shitjes, por kur gjykata do të miratojë konfiskimin të ardhurat do të kalojë në buxhetin e shtetit.

Nisma është marrë pas ngarkesës që është krijuar me automjetet dhe motorët e sekuestruar të cilët qëndrojnë në pikat e bllokimit apo dhe në komisariate.

Ky problem që ekziston prej shumë vitesh, siç duket do zgjidhet me miratimin e projektligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”.

Kështu për të mos humbur vlerën dhe për të minimizuar koston e një kompensimi të mundshëm që vjen nga amortizimi e tyre, makinat do të shiten ose do vihen në funksion të institucioneve ligjzbatuese, si policia, prokurori, gjykata dhe të tjera.

Për realizimin e këtij procesi, fillimisht vendoset ngrirja dhe kthimi apo në buxhet të shtetit në varësi të vendimit të gjykatës.

Sipas draftit që është miratuar shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë, etj), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.

Me miratimin e projektligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, synohet krijimi i një regjistri të veçantë ku përfshihen edhe pronat e paluajtshme që sekuestrohen të krijuara nga krimi i organizuar.

Ky institucion që deri më sot ka funksionuar me anë të VKM-ve dhe në varësi të Ministrisë së Financave, do të realizojë dhe menaxhimin e pronave, si shitjen apo dhënien me qira të pronave të paluajtshme, të cilat sekuestrohen me vendim gjykate.

Agjencia gjithashtu do të merret me pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente, sipas përcaktimeve të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”;  pasuritë e bllokuara e të sekuestruara “Për masat kundër financimit të terrorizmit”; si dhe pasuritë, për të cilat është vendosur masa e sekuestrimit preventiv, sipas kreut VI, të Kodit të Procedurës Penale, dhe ato të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente sipas nenit 36, të Kodit Penal, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to.

Por si e komentojnë ekspertët e fushës miratimin e një ligji për herë të parë për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara?

Për ekspertin e fushës në luftën kundër pastrimit të parave, drejtues për disa vite i AAPSK-së, miratimi i këtij ligji është një lajm shumë i mirë, në faktin që tashmë ky institucion do funksionojë me ligj të posaçëm, por ligji duhet të ndryshonte nga VKM-ja me të cilën funksiononte deri para miratimit të ligjit.

Hekuran Vladi: Ishte një lajm  shumë i mirë dhe një veprim që qeveria shqiptare e ka pasur të planifikuar që në 2005 e më tej, në 2008 dhe sërish në 2013. Ashtu si gjithë njerëzit që për një arsye apo një tjetër e mbajnë veshin të ngrehur se çfarë ndodh në fushën e tyre, edhe unë isha i lumtur që ky ligj kaloi. Por direkt aty fillon problemi sepse pasi e lexon ligjin kupton që është punuar pa seriozitet. Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka funksionuar në bazë të një VKM referuar ligjit antimafia. Kjo Agjenci ekzistonte si institucion. Bërja e një ligji funksional për këtë Agjenci pritej si diçka që do të rregullonte jo vetëm kompetencat e Agjencisë të cilat ishin të rregulluara me VKM. Agjencia është një institucion civil që varet nga qeveria dhe nuk ka probleme kompetencash sepse ligji nuk është se ka ngritur një institucion të pavarur nga qeveria. Në asnjë fjalë, asnjë rresht, asnjë kapitull të këtij ligji nuk gjen një përmbajtje të ndryshme nga ajo që ka thënë VKM-ja.

Gjithashtu për ekspertin e fushës, ligji duhet të rregullonte problematika të mëdha që janë evidentuar në vite.

Hekuran Vladi: Ligji nuk bëhet vetëm për ta lexuar specialistët e Agjencisë, ligji duhet të rregullonte problematikat që kishin dalë në vite që nga 2004 deri më sot. Çfarë ka ndodhur me pasuritë që janë sekuestruar dhe pse 99% e tyre u janë kthyer pronarëve të mëparshëm. A ka shërbyer sekuestrimi i pasurive kriminale thjesht si një amnisti për këto pasuri. Kemi parimin e së drejtës që mbi një çështje nuk mund të bëhet dy herë gjyq. Të gjithë ato banda kriminale që kanë pasur çështje të sekuestrimit të pasurive dhe këto pasuri janë kthyer mbrapsht nuk ka më gjykim për këto pasuri. Ato pasuri janë të pastra. Se sa të pastra ishin dhe pse e fituan këtë të drejtë këto banda, kjo është çështje e vlerësimit të sistem,it gjyqësor por edhe vetë ligjit që kishte mangësitë e veta.

Duke qenë se e ka drejtuar për disa vite këtë sektor në varësi të Ministrisë së Financave, eksperti Hekuran Vladi

deklaron se metoda që përdorte agjencia ishte bashkëpunimi me rezervat e shtetit, dhe me ligjin e ri shpresohej unifikimi i gjithë pasurive të sekuestruara.

Hekuran Vladi: Problematika më e madhe që pasuritë e sekuestruara në Shqipëri është unifikimi i regjiimit të administrimit të këtyre pasurive. Kemi disa lloje pasurish kriminale. Janë pasuri që sekuestrohen në bazë të ligjit antimafia, të marrë nën gjykim nga Gjykata për Krime të Rënda. Kemi pasuri që konfiskohen në cilësinë e provës dhe pastaj konfiskohen. Kemi pasuri që sekuestrohen nga organet e sistemit fiskal, tatimet dhe doganat, për shkak të mos pagimit të taksave. Kemi pasuri të sekuestruara subjekteve të dyshuara për financim të terrorizmit. Kemi pasuri që supozohen të sekuestrohen edhe nga ILDKPKI. Kemi pasuri që sekuestrohen nga policia. Të gjitha këto administrohen në forma nga më të larmishmet. Në portin e Durrësit kemi magazina makinash të shkatërruara apo mallrash. Fatkeqësisht metoda që është ndjekur është përdorimi i rezervave të shtetit, një institucion që nuk duhet të ketë lidhje fare me pasuritë kriminale. Me ligjin e ri për administrimin e pasurive me prejardhje kriminale realisht shpresoja që ajo që do të ndodhte e para do të ishte unifikimi i regjimit të administrimit për të gjitha pasuritë kriminale që janë në vend. E ka bërë Kosova para nesh. Agjencia e Kosovës administron të gjitha pasuritë kriminale. Nuk ka asnjë shkencë, mjafton dëshira dhe një vështrim i kujdesshëm mbi atë çfarë shkruan.

 Për Vladin, hartimi i një ligji të tillë thjesht me përmirësimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, është kryer në kuadër të plotësimit të paketës së ligjeve në prag të raportit për hapjen e negociatave.

 Hekuran Vladi: Unë mendoj se këtë ligj nuk e ka lexuar asnjeri, as ata që supozohet se e kanë draftuar dhe as ministria e Financave që e ka dërguar në qeveri, as qeveria që e ka cuar në Kuvend dhe as Kuvendi. Janë marrë copa copy paste nga vendimi i këshillit të ministrave i është ndryshuar koka dhe është bërë ligj. 

Por si mund të përmirësohej ligji “për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”?

Eksperti Vladi sugjeron disa akte të cilat mund të përmirësonin ligjin në mënyrë që përgjegjësia dhe kompetencat e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara të ishin më të shtuara.

Hekuran Vladi: Këto të gjitha veprimet duhet të jenë komplementare. E treta pasuritë e sekuestruara nga subjekte të krimit të organizuar merren në dorëzim nga një oficer i policisë gjyqësore. Pasuritë e sekuestruara nga urdhëri i ministrit të Financave bëhet nga përmbaruesi. 

Përmirësim gjithashtu mund të bëhej dhe për sa i përket menaxhimit të kuotave, bashkëpunimit me institucionet tatim paguese që duhet të ishte rregulluar me ligj, apo dhe zgjidhja e administrimit të dokumentacionit.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara ka nxjerrë në shitje disa prej pronave të sekuestruara nga krimi i organizuar.

Rastet më të fundit janë ato të pronave të sekuestruara së fundmi Shkodër, Sarandë, Vlorë, Lezhë apo dhe në shumë qytete të tjera.

Gjatë gjashtëmujorit të vitit 2018 u sekuestruan 145 pasuri të paluajtshme, ndërsa në total sipas shifrave zyrtareve janë sekuestruar 32 milionë euro pasuri.

Për vitin 2018 kanë qenë 354 pasuri të sekuestruara, ku 62 kaluan në varësi të shtetit, ndërsa 253 të tjera ishin objekt i shqyrtimit në gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat