Rruga e Thethit “mollë sherri”, Qeveria dhe bashkia Shkodër përplasen për zbatimin e projektit

Shqipëria

Rruga e Thethit “mollë sherri”, Qeveria dhe bashkia Shkodër përplasen për zbatimin e projektit

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 17:07
Rruga e Thethit

Ndërtimi i rrugës së Thethit ka përplasur qeverinë me Bashkinë e Shkodrës. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ndërprerë punimet pasi Bashkia Shkodër nuk ka dhënë leje për kryerjen e tyre. Por nga ana tjetër Bashkia e Shkodrës e kundërshton një fakt të tillë ndërsa kërkon transparencë për projektin.

Bashkia Shkodër dhe qeveria nuk kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit për ndërtimin e Rrugës së Thethit. Më 11 mars 2019 është hapur zyrtarisht procedura e tenderimit për ndërtimin e rrugës Qafë Thore – Theth.

Një javë më parë, filloi dhe zbatimi i projektit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por një mosmarrëveshje me bashkinë Shkodër që nuk ka dhëne lejen për nisjen e punimeve ka bërë që puna të ndërpritet.

Prej 3 tetorit 2018 që kemi dërguar shkresën, bashkia nuk na ka kthyer përgjigje, thotë fondi shqiptar. Por bashkia Shkodër i hedh poshtë pretendimet e fondit me një sqarim ku thotë se i ka dërguar subjektit në fjalë kopjet e firmosura të kontratës në datën 19 korrik 2019 duke u shprehur e gatshme për bashkëpunim.

Një projekt si rruga e Thethit, jetik jo vetëm për zonën atje, por edhe gjithë Bashkinë e Shkodrës, nuk duhet të përdoret për qëllime politike. I kërkojmë Fondit Shqiptar të Zhvillimit të bëjë publike për qytetarët:

1- Kontratën e lidhur tashmë me firmën kontraktuese për rikonstruksionin e rrugës

2- Projektin teknik, pjesë të kësaj kontrate të lidhur tashmë”, thotë bashkia e Shkodrës.

Investimi po kryhet në kuadër të projektit “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale” për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore. E ndërsa institucionet përplasen në qëndrime, derisa të gjejnë zgjidhje, pasojat bien mbi afatet e zbatimit dhe turizmin, pasi bllokimi në pikun e sezonit, është kosto për të gjithë.

Të udhëtosh drejt Thethit, magjisë së Alpeve Shqiptare prej vitesh në 16 kilometrat fundore të rrugës, ishte një sfidë më vete. Në dimër për muaj të tërë rruga qëndronte e izoluar, e në pranverë – verë, duhet ta përshkosh mes gropave munduese, e pluhurit që vesh gjelbërimin e zonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat