Protesta e banorëve të Skraparit, reagojnë përfaqësuesit e HEC-it: Jemi konform ligjit

Shqipëria

Protesta e banorëve të Skraparit, reagojnë përfaqësuesit e HEC-it: Jemi konform ligjit

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 17:39
Protesta e banorëve të fshatit Backë në Skrapar

Pas protestës së banorëve të fshatit Backë në Skrapar, kundër ndërtimit të hidrocentralit në këtë fshat kanë reaguar sot përfaqësuesit e HEC-it.

Nëpërmjet një deklarate për median, përfaqësuesit e HEC-it kanë deklaruar se asnjë prej pretendimeve të banorëve nuk është e vërtetë dhe se ndërtimi i kësaj vepre energjitike nuk do ta lërë asnjë ditë pa ujë fshatin.

Drejtori i HEC-it, Arjan Demiri ka pohuar se banorët, edhe pse kanë disa ditë që protestojnë kundër HEC-it janë duke dezinformuar opinionin publik, sepse kjo vepër energjitike i ka të paracaktuara qartë kushtet dhe kuotat.

Ai deklaroi se në kontratën e formës “BOT”, të miratuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës parashikoet qartë që HEC-i do të ndërtohet në kuotat 1535 metër mbi nivelin e detit dhe jo në grykën kryesore të burimit “Kroi mbret” të fshatit.

“Marrja e ujit të hidrocentralit,” ka thënë Demiri “do të bëhet disa qindra metra më poshtë burimit dhe kjo nuk pengon aspak furnizimin me ujë për të pirë e për vaditje për banorët e fshatit Backë”.

Demiri pohon se HEC-i punon kryesisht me ujërat e dëborës dhe nuk do të prekë ujin e vaditjes në muajt maj-tetor, siç është nënshkruar edhe në marrëveshjen e firmosur me banorët e zonës.

Sipas Demirit, protestat e banorëve janë duke penguar vijueshmërinë e punimeve të hidrocentralit,  kur kanë ngelur edhe 300 metër punime deri në kuotën e veprës së marrjes, të përcaktuar nga qeveria, për ta përfunduar këtë projekt në afatin e përcaktuar që është në muajin tetor 2019.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat