Shqipëri-Itali, marrëveshje për konvertimin e patentave

Shqipëria

Shqipëri-Itali, marrëveshje për konvertimin e patentave

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 21:41
Ilustrim

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, në një postim në rrjetin e tij social Facebook, njoftoi qytetarët shqiptarë me banim apo që vizitojnë Italinë për realizimin e “Marrëveshjes ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit”. Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019.

“Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin apo pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, shkruan Cakaj.

Gjithashtu, ai njofton shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, se nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit. Cakaj thekson se të njëjtat përpjekje e hapa Shqipëria i ka ndërmarrë edhe me shtete të tjera ku ka komunitete shqiptare, por për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende.

“Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë”, përmbyll Cakaj postimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat