Meta: Një pjesë e faktorit ndërkombëtar është sjellë në mënyrë helmuese me Shqipërinë

Shqipëria

Meta: Një pjesë e faktorit ndërkombëtar është sjellë në mënyrë helmuese me Shqipërinë

Më: 16 gusht 2019 Në ora: 23:08
Ilir Meta

Gjatë gjithë gushtit, Presidenti Meta ka qenë aktiv në rrjetet sociale, duke kritikuar të dy palët, si shumicën, ashtu edhe opozitën. Në intervistën e dhënë për A2, Presidenti këmbëngul se zgjidhja do të vijë përmes zgjedhjeve të 13 tetorit, pavarësisht se palët janë diametralisht larg në qëndrimet e tyre.

“I vetmi institucion që në Shqipëri ka punuar në mënyrë të qartë për zgjidhjen e krizës për fat të keq është vetëm institucioni i Presidentit të Republikës. Më vjen shumë keq, si për maxhorancën, e cila me kokëfortësinë dhe arrogancën e saj në vend të tregonte përgjegjësi ka bërë të kundërtën. Ashtu sikurse opozita, me listën e dëshirave të pafundme, që shpesh dalin jashtë realitetit, e ka bërë të pamundur përfshirjen në institucione”, u shpreh Meta për A2.

Siç ka bërë në disa raste, Presidenti kritikoi përsëri edhe ndërkombëtarët, disa prej të cilëve, sipas tij, nuk kanë ndihmuar Shqipërinë në realizimin e objektivave të saj.

“Por nuk mund të mos them se edhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar janë sjellë në mënyrë tepër të njëanshme, tepër helmuese, duke mos dhënë asnjë kontribut që Shqipëria të përmbushë detyrimet që burojnë nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE dhe që duhet ta ndihmojnë Shqipërinë të çelë  me negociatat me BE”, tha Presidenti.

“Për fat të keq, Presidenti, edhe pse është ndjerë i vetëm, ka qenë i qartë dhe i vendosur për t’ia kursyer Shqipërisë një shëmti si farsa e 30 qershorit, që mund të jetë edhe një burim sanksionesh nga organizatat ekzistuese ku Shqipëria bën pjesë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat