Çështja Kajmaku, Basha: E dënueshme heshtja e Ramës dhe e Arta Markut

Shqipëria

Çështja Kajmaku, Basha: E dënueshme heshtja e Ramës dhe e Arta Markut

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 12:53
Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dënuar heshtjen e kryeministrit Edi Rama, pas publikimit të dokumenteve ku vërtetohej, sipas tij, procesi penal në Greqi ndaj Agim Kajmakut, kryebashkiak i Vorës.

“Dua të dënoj heshtjen e Edi Ramës, ka 24 orë që PD ka publikuar dokumentet zyrtare që provojnë se Kajmaku është në shkelje të dekriminalizimit dhe sot duhet të ishte marrë i pandehur nga prokuroria. Dua të dënoj heshtjen e prokurorisë që si shtojcë e Ramës, ka 24 orë që hesht. Pse hesht prokuroria? Pse hesht Arta Marku dhe veglat e saj?”,- deklaroi Basha.

Basha theksoi se kryeministri Rama kishte dijeni për dosjen e Kajmakut dhe sërish e kandidoi për kryebashkiak. Sipas kryeopozitarit, bëhet fjalë për dhjetëra individë me rekorde kriminale që janë kandiduar.

Partia Demokratike publikoi dje të dhënat ku rezultonte se Kajmaku ishte arrestuar në 2003-shin në Greqi për falsifikim parash. Ai ka mundur të arratiset nga territori grek dhe për këtë arsye procesi gjyqësor ndaj tij ka mbetur pezull. Agim Kajmaku reagoi pas denoncimit, duke mohuar sërish akuzat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat