Nis puna për vijën bregdetare 2020, Rama: Një Shqipëri turistike shumë më cilësore

Shqipëria

Nis puna për vijën bregdetare 2020, Rama: Një Shqipëri turistike shumë më cilësore

Më: 28 gusht 2019 Në ora: 16:52
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama thotë se ka nisur puna për vijën bregdetare 2020. Në një status në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka publikuar një hartë digjitale, e cila tregon pasqyrën e reformës.

"12 mijë e 132 fotografitë e para, të cilat mbulojnë 180km bregdet me plazhe dhe mbi 30 mijë të tjera, që do t’u bashkangjiten në javët në vijim, përbëjnë pasqyrën digjitale të reformës së nisur për kontrollin, mbrojtjen dhe zhvillimin e Vijës sonë Bregdetare. Kjo pasqyrë digjitale, e cila do të përditësohet vijimësisht, do të prodhojë të gjitha të dhënat e nevojshme për pronësinë publike a private, ndërtimet abuzive, aktivitetet hoteliere dhe njësitë e shërbimit (bashkë me statusin e tyre juridik e tatimor), hotspotet mjedisore, monumentet e kulturës e zonat e mbrojtura", shkruan kryeministri.

Më tej Edi Rama thotë se të gjitha institucionet dhe strukturat të shtetit, të cilat do të përfshihen në zbatimin e Ligjit të ri për Vijën Bregdetare, do ta përdorin këtë pasqyrë për planifikime, verifikime dhe operacione në terren.

Kjo reformë shprehet kryeministri është në funksion të qëllimit për t’u ofruar qytetarëve një Shqipëri turistike shumë më cilësore; me plazhe të lira, shërbime publike të aksesueshme dhe shërbime tregtare të formalizuara, mjedis të mbrojtur e zhvillim të qëndrueshëm të infrastrukturës së mikpritjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat