Rama dhe Veliaj në “Qytetin Studenti”: Nisim punën për Kampusin e ri Universitar

Shqipëria

Rama dhe Veliaj në “Qytetin Studenti”: Nisim punën për Kampusin e ri Universitar

Më: 31 gusht 2019 Në ora: 14:59
Edi Rama dhe Erion Veliaj

Shumë shpejt, do të nisë puna për ndërtimin e Kampusit të ri Universitar me godina të reja, salla leximi dhe mjedise moderne për të mikpritur studentët.

Gjatë inspektimit të përfundimit të rikonstruksionit të godinës nr 24 dhe vijimit të punës në atë 25 në “Qytetin Studenti”, Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj dhanë lajmin e mirë për të rinjtë që pritet të zgjidhë njëherë e mirë çështjen e akomodimit në periudhën e tyre studentore.

Kreu i qeverisë shprehu bindjen se Kampusi i ri do të sjellë edhe ndryshimin e madh, ndërkohë që puna vijon për të rikonstruktuar godinat ekzistuese që gjithçka të jetë gati për këtë vit të ri akademik.

“Shumë mirë besoj që ne jemi në kohë për t’i akomoduar pjesën më të madhe, siç duhet.. Korçë ka filluar, Shkodra po ashtu është në proces edhe fillon këto ditë sepse gjithçka është bërë gati, Elbasani, kemi dhe Vlorën dhe Gjirokastrën. Këto janë, pastaj kuptohet që këtu Kampusi do të bëjë ndryshimin e madh, nuk diskutohet”, tha Rama.

Duke e cilësuar bashkëpunimin me privatin një histori suksesi, Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se falë skemës së duhur, është arritur të realizohen brenda një kohe të shkurtër një numër i konsiderueshëm shkollash.

“Këtë vit kryejmë edhe këtë historinë e shkollave të Tiranës dhe ulet goxha presioni. Nëse i shikojmë gjërat, pavarësisht gjithë debateve që ka, flas për Tiranën, shkolla kemi më shumë. Janë disa nga projektet ku bashkëpunimi me privatin ka qenë një histori suksesi…S’do ishin bërë kurrë me forcat tona, shkollat e Tiranës ne s’i kishim, ne kemi hapur sot 16 të tjera.

Me atë fondin që kalon te Bashkia bëjmë një shkollë çdo vit. Ndërkohë që ata që ishin mes jush edhe meje, në 4 vjet as s’i shoh që është patjetër skandal. Po dhe ritmi ynë me një në vit, s’ia del dot, kurse sot kemi 16”, tha Veliaj.

Një tjetër iniciativë e Bashkisë së Tiranës lidhet edhe me punësimin e të rinjve, të cilët do të mund të angazhohen edhe brenda rezidencave të banimit si në rolin e administratorit, recepsionistit etj, duke rritur më tej jo vetëm shërbimin, por edhe duke i ndihmuar ata ekonomikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat