“Babalja”, Bardhi: S’kam marrë njoftim nga gjykata, po bëhet e pamundura për të mos ndëshkuar vëllanë e Xhafaj

Shqipëria

“Babalja”, Bardhi: S’kam marrë njoftim nga gjykata, po bëhet e pamundura për të mos ndëshkuar vëllanë e Xhafaj

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 15:03
Gazment Bardhi

Në dalje të Gjykatës së Krimeve të Rënda ku u paraqit ditën e sotme lidhur me dosjen “Babale”, ish-deputeti demokrat Gazment Bardhi tha se është njohur për nevojën që kishte gjykata dëshminë e tij në këtë proces.

Ai sqaroi se në 24 korrik ka marrë njoftimin e vetëm nga gjykata për tu thirrur si dëshmitar, por se për shkak të një aktiviteti politik, nuk ka mundur të paraqitet.

“Në tej nuk kam pasur asnjë njoftim, pasi nëse do kisha pasur do isha paraqitur në çdo moment që do isha thirrur nga gjykata. Kur e mësova nga media, jam paraqitur për të dëshmuar në gjykatë”, u shpreh Bardhi.

Ai tha se Fredi Alizoti pretendon se është takuar me të, por nënvizoi se “atë zotëri” e pa për herë të parë në sallën e gjyqit, ndryshe nga Albert Veliu- Babalja, për të cilin tha se është takuar ditën kur dhe bënë denoncimin publik.

“Çdo denoncim që ka bërë PD për përdorim politik, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes dhe pandëshkuershmërisë për vëllanë e ish-ministrit brendshëm Fatmir Xhafaj, vijon sot e kësaj dite të mos ketë rezultat. Ende nuk ka rezultat për  hetimin pasuror të Agron Xhafajt, nëse është provuar apo jo se pasuria e tij është vendosur nga aktiviteti kriminal”, u shpreh ai.

Sipas tij qëllimi i këtij procesi është që të intimidojë përfaqësuesit e opozitës që të mos denoncojnë personat e lidhur me krimin.

Bardhi u paraqit në seancë vullnetarisht, pasi gjykata kishte urdhëruar shoqërimin me forcë për në gjyq. Ai ka deklaruar se urdhri për shoqërim të detyrueshëm është i paligjshëm.

Dosja bëri bujë politike vitin e kaluar, ku të pandehur janë marrë ish-deputeti Ervin Salianji, gazetari Jetmir Olldashi dhe Albert Veliu, i ashtuquajtur me nofkën Babale, i cili akuzoi vëllanë e Fatmir Xhafaj si të përfshirë në trafik droge.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat