Zyrtari i DASH shkon në zyrën e kryeministrit Rama

Shqipëria

Zyrtari i DASH shkon në zyrën e kryeministrit Rama

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 18:29
Pamje nga takimi

Zyrtari i DASH, David Kostelancik, po qëndron për një vizitë në vendin tonë për të diskutuar për zgjidhjen e krizës politike në vend. 

Rreth orë 17:00 Kostelancik iu drejtua zyrës së kryeministrit Edi Rama, për të përmbyllur takimet e sotme. Në qendër të diskutimeve është kriza politike në vend.

Takimi me Bashën

Takimi në selinë blu me kryetarin Lulzim Basha zgjati për më shumë se një orë. 

Në përfundim, Basha në një status në twitter thotë se disktuimi me Kostelancik ishte konstruktiv dhe i përqëndruar në dalimin e mosndëshkimit për politikanët.

Basha: Diskutim shumë i hapur dhe konstruktiv me David Kostelancik, Drejtorin e ri të Zyrës së Evropës Qendrore Jugore në @StateDept. Përqendruar në ndalimin e mosndëshkimit për politikanët dhe rikthimin e sundimit të ligjit; përfundimi i kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SH.B.A.

Takimi me Kryemadhin

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i shprehu  Kostelancik vlerësimet më të larta për bashkëpunimin strategjik me SHBA dhe e falenderoi për mbështetjen ndër vite që SHBA ka dhënë për progresin demokratik të Shqipërisë, si dhe mbështetjen e veçantë për anëtarësimin në NATO dhe rrugëtimin e vendit tonë drejt Bashkimit Europian.

“Shqipëria ka nevojë kritike për hapjen e negociatave në tetor. Hapja e negociatave është e kushtëzuar vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme. Për këtë arsye, zgjedhjet duhet të zhvillohen sa më parë dhe me standarde, pasi kjo është e vetmja rrugë për integrimin evropian të Shqipërisë”, u shpreh kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në lidhje me krizën aktuale politike e institucionale që ka përfshirë vendin.

90 minuta takim me Ruçin

Takimet intensive të zyrtarit amerikan kanë nisur në 11:00 me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, me të cilin qëndroi përreth 90 minuta. Në përfundim nuk pati asnjë prononcim për mediat, ndërsa sipas njoftimit nga zyra për shtyp e Kuvendit në fokus të bisedimeve ka qenë reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore.

Ruçi ka nënvizuar se pa kontributin e SHBA-së, reforma në drejtësi nuk do të ishte e mundur.

Drejtori David Kostelancik falënderoi kryetarin Ruçi për vlerësimin e kontributit të ShBA dhe ambasadës në Tiranë për thellimin e reformave për transformimin e Shqipërisë dhe vuri në dukje se Ballkani është me rëndësi jetike për ShBA, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Sekretarin Pompeo.

Kostelancik nënvizoi se SHBA e konsideron Shqipqërinë si një aleat strategjik në NATO dhe e vlerëson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me të.

Ai nënvizoi mbështetjen e ShBA për reformën në drejtësi. “Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga ShBA.”,- vuri në dukje drejtori Kastelancik.

Kostelancik vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë e për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, nënvizoi se shumica qeverisëse dhe ai personalisht janë të angazhuar për kryerjen e reformës zgjedhore dhe për këtë do të bashkëpunojë edhe me opozitën parlamentare e joparlamentare, e cila ka të drejtën e vetos në komisionin e ri të reformës.

 Kostelancik në orën 15:30 do të takojë kryetaren e LSI-Monika Kryemadhi.

Axhenda e takimeve do të përmbyllet në orën 17:00 të pasdites, ku zyrtari i lartë amerikan do të ketë një takim me kryeministrin Edi Rama.

Tirana pritet ta vizitohet gjatë muajit shtator nga zyrtarë të lartë evropianë por edhe nga SHBA.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat