Shenjtërimi i “Nënë Terezës”, Bashkia e Tiranës ceremoni nderimi dhe drekë për njerëzit në nevojë

Shqipëria

Shenjtërimi i “Nënë Terezës”, Bashkia e Tiranës ceremoni nderimi dhe drekë për njerëzit në nevojë

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 21:00
Ilustrim

Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës shtroi drekë në të gjitha qendrat e saj sociale, për njerëzit në nevojë që i frekuentojnë ato.

Po ashtu, në nderim të figurës së shenjtores shqiptare, përmes një ceremonie të posaçme, kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti dhe këshilltarë, vendosën kurora me lule në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Kurse kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu drekën për njerëzit në nevojë në Qendrën Sociale Komunitare në Njësinë 4, e cila mban emrin e bamirëses së madhe, “Gonxhe Bojaxhiu”.

Ai theksoi se mënyra më e mirë për ta kujtuar Nënë Terezën është të ndjekim mësimet e saj, për t’u shërbyer njerëzve.

Veliaj: Mënyra më e mirë për të kujtuar Nënë Terezën, nuk është duke dhënë leksione e duke bërë histori, por duke u sjellë si ajo. Më vjen mirë që të gjithë së bashku e kemi bërë qytetin pak më shumë solidar, siç donte Nënë Tereza. Në qoftë se ajo do të ishte gjallë, nuk do të kërkonte më shumë statuja dhe më shumë statuse në internet, por më shumë njerëz që shërbejnë një pjatë supë.

Veliaj tha se modeli i suksesshëm i arritur në Tiranë për hapjen e mensave sociale dhe ndihmën ndaj atyre që kanë më shumë nevojë, duhet të shtrihet edhe në bashkitë e tjera të vendit.

Veliaj: Ky është një rast për t’i bërë thirrje të gjithë kryebashkiakëve të rinj: Tirana ka ende cepa ku duhet të shkojë asfalti, gjelbërimi, duhet të heqim rraqe pa leje që kanë zënë hapësira publike, por ama në morinë e madhe të problemeve, ka edhe një dozë njerëzillëku. Pra, nuk është keq që një qytet tjetër, përveç Tiranës, të hapë një mensë sociale, të ketë një qendër ku ndihmohet dikush në vështirësi. Jam i lumtur që me këtë dozë njerëzillëku punon jo vetëm kjo qendër sociale, por gjithë infrastruktura jonë sociale në Tiranë.

Veliaj shtoi se kur ka vullnet, gjithçka mund të realizohet.

Veliaj: Kur ne duam, ne mundemi. Kur ne duam, ne bëjmë; dhe kur ne duam, ne mund të bashkëpunojmë. Unë besoj se ky komunitet është realisht në frymën e Nënë Terezës. Populli që do, bën. Populli që do, bashkëpunon dhe tregon solidaritet.

Kryebashkiaku iu drejtua me një mesazh edhe të rinjve, duke i kërkuar atyre që të jenë më solidarë për të ndihmuar më të moshuarit apo ata që gjenden në vështirësi.

Në nderim të shenjtores shqiptare, në rrugët kryesore të kryeqytetit u vendosën banderola që përkujtojnë bamirësen e madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat