Gjenden në shkelje, gjobiten 9 kompani nafte/ Emrat

Shqipëria

Gjenden në shkelje, gjobiten 9 kompani nafte/ Emrat

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 14:30
Arlind Gjokutaj

Nëntë kompani që merren me importin dhe përpunimin e naftës, janë gjetur në shkelje, gjatë kontrolleve në kuadër të operacionit anti-informalitet.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokutaj bëri me dije ditën e sotme se nga periudha kohore 2018- gusht 2019 janë kontrolluar tetë magazina të lira për karburantet me vendndodhje në Porto Romano, Lezhë dhe Vlorë, katër magazina të lira për produktin Gaz i Lëngshëm Natyror me vendndodhje në Vlorë dhe Porto Romano si edhe tre rafineritë e përpunimit të naftës bruto në Fier, Ballsh dhe Elbasan.

Ai bëri me dije se si rezultat i këtij procesi kanë rezultuar mangësi nga gjendja e deklaruar te të gjithë operatorët që operojnë me karburant në magazinat e lira, një operator që operon me gazin natyral të lëngshëm dhe një rafineri prodhimi.

Gjokutaj deklaroi se në përfundim të kontrollit, për çdo operator që ka rezultuar me sasi të munguara janë llogaritur detyrimet doganore të munguara dhe janë aplikuar sanksionet dhe gjobat përkatëse sipas Kodit Doganor dhe Ligjit për akcizat.

Kompanitë e gjetura në shkelje: Royal Trade Company sh.a; Porto Romano Oil sh.a; Kastrati sh.a; Genklaudis sh.a; Europetrol sh.a; Eroil sh.a; Bolunmez petrol sh.a; La Petrolifera Italo- Albanese sh.a; Mare Oil sh.a; Tosk Energji sh.a.

Gjokutaj tha se nga i gjithë procesi i kontrollit rezultuan diferenca për 752 015 litra karburant dhe 77 451 litra gaz, ku detyrimi i munguar dhe penalitetet për këto sasi janë rreth 129 milionë lekë të reja ose 1.06 milionë euro.

Aktualisht janë liruar nga detyra pesë doganierë mbikëqyrës, si dhe janë thirrur në komisionin disiplinor 9 doganierë të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat