Cakaj – Czaputowicz: Pritshmëria e Shqipërisë për çeljen e negociatave, mbi meritën e plotësimit të kushteve

Shqipëria

Cakaj – Czaputowicz: Pritshmëria e Shqipërisë për çeljen e negociatave, mbi meritën e plotësimit të kushteve

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 14:13
Gent Cakaj u takua me Ministrin e Jashtëm polak, Jacak Czaputowicz

Gjatë vizitës zyrtare në Poloni, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj u takua me Ministrin e Jashtëm polak, Jacak Czaputowicz për të diskutuar intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, agjendën evropiane të Shqipërisë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe koordinimin në kuadër të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.

Në këtë takim, Cakaj ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen e pakursyer të Polonisë ndaj Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian.

Gjithashtu, në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, rritja e shkëmbimeve ekonomike në fushën e turizmit dhe u dakordësua angazhimi i përbashkët për identifikimin e mekanizmave për të eksploruar dhe aktivizuar potencialet e pashfrytëzuara.

Takimi u fokusua gjerësisht në rëndësinë e procesit të integrimit evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku kryediplomati shqiptar ka infomuar homologun e tij mbi ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit, si dhe përmbushjes së kushteve të vendosura nga Këshilli Evropian në muajin qershor të vitit 2018.

Ministri Czaputowicz duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, e siguroi edhe një herë Ministrin Cakaj për avokatinë e fortë të Polonisë për një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë në muajin tetor 2019.

“Pritshmëritë e Shqipërisë për çeljen e negociatave në tetor nuk ngrihen mbi nevojën për ‘favore’ por mbi bazën e meritave. Është historike dhe e pandërmarrë nga ndonjë vend tjetër në rajon, zbatimi i reformës në drejtësi, krijimi i organeve të reja të gjyqësorit dhe dhënia e prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Ministri Cakaj.

Më tej, në pajtim të plotë, Ministri Cakaj dhe Ministri Czaputowicz, përqafuan konsideratat e Komisionit për rëndësinë strategjike të procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Duke u ndalur ne agjendën shumëpalëshe, Ministri Czaputowicz përgëzoi Qeverinë shqiptare për angazhimin e saj në marrjen e kryesimit të OSBE-së për vitin 2020, si dhe për kandidaturën si vend jo permanent në Këshillin e Sigurimit të OKB për vitin 2022 – 2023. Ai siguroi për mbështetjen dhe ekspertizën e Polonisë në këtë agjende ambicioze të Shqipërisë.

Nё vijim dy Ministrat morёn pjesё nё ceremoninё e hapjes sё Konferencёs sё Dytё të Tiranës, një forum dypalësh konsultativ, pёrmes tё cilit Polonia përcjell përvojën e saj për të asistuar Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat