Mesazhi i Presidentit: T'ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, o sot o kurrë!

Shqipëria

Mesazhi i Presidentit: T'ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, o sot o kurrë!

Më: 15 shtator 2019 Në ora: 09:45
Ilir Meta

Në ditën ndërkombëtare të demoracisë, kreu i Shtetit Ilir Meta i është drejtuar me një mesazh qytetarëve, duke kujtuar se në themel të demokracisë qëndron vota, e drejta e çdo qytetari për t'u zgjedhur e për të zgjedhur, pluralizmi politik.

Meta shpreh shqetësimin nga parimet dhe vlerat  që janë kolonat dhe zemra e botës demokratike, janë përçudnuar në vendin tonë.

Teksa përshkruan situatën në të cilët ndodhet vendi, Presidenti shprehet se sot jemi të fundit në rajon para dyerve të BE-së dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi shton ai, ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri.

Meta nënvizon se fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.

Sot, thotë Meta, kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime!

Meta: Koha nuk pret!Kjo është beteja jonë! E njerëzve të lirë, të ndershëm dhe punëtorë, e rinisë sonë të mrekullueshme! E të gjithëve ne që e duam me shpirt dhe zemër Shqipërinë! Dhe unë jam më i vendosur se kurrë!Për një Shqipëri demokratike, si gjithë Europa!Sepse liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë të panegociueshme.

Kreu i Shtetit deklaron se mbrojtja e demokracisë sot është një detyrë patriotike për t'i rikthyer besimin çdo qytetari dhe çdo të riu se e ardhmja më e mirë është vetëm këtu dhe kjo kërkon kontributin e secilit për ndryshim.

Meta: Zgjidhja nuk është largimi, por zgjimi dhe ndryshimi!Largimi u intereson atyre që duan të zbrazin Shqipërinë nga shqiptarët, ndaj prej kohësh kanë planifikuar vrasjen e ngadaltë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.T'ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe!

Teksa e shoqëron deklaratën e tij në facebook me një foto nga takimi i studentëve të Dhjetorit '90 gjatë takimit me ish-presidentin Ramiz Alia, Meta shprehet se regjimi i bllokmenëve ishte shumë herë më i vështirë se regjimi i oligarkëve për t'u përmbysur!

Meta: Zgjidhja nuk është tërheqja dhe justifikimet foshnjore, por përballja me të keqen dhe ligësinë! O SOT O KURRË!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat